Tërmeti / Hetimet e Prokurorisë së Durrësit, fillon shoqërimi i 17 personave të dyshuar për shkelje

0
1

Pas shoqërimit të drejtorit dhe nëndrejtorit të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës, Policia e Shtetit ka nisur zbatimin e urdhërave të Prokurorisë së Durrësit për shoqërimin edhe të personave të tjerë, lidhur me dyshimet për shkelje të detyrës për dëmet që solli tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se Prokuroria e Durrësit ka kërkuar shoqërimin e 17 personave.

Krahas Ahmet Dodës dhe Kujtim Hasës, përkatësisht drejtori dhe nëndrejtori i Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës, Policia e Shtetit ka shoqëruar për t’u marrë në pyetje edhe Arben Isakun, nëndrejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës, që më parë ka qenë drejtori i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale në Durrës, ndërkohë që për t’u marrë në pyetje kërkohen edhe Aldo Dakovelli dhe Artemis Malko, punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës.

Tre personat e fundit dyshohen se, në shkelje të dispozitave ligjore, kanë miratuar legalizimin e objekteve të shembura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 persona dhe qindra ndërtesa u shembën apo pësuan dëme serioze, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për veprat penale të ndërtimit pa leje dhe shpërdorimit të detyrës.