Tërmeti / Durrës dhe Shëngjin, specialistët gjermanë instalojnë 30 sizmografë portabël

0
1

Qendra Gjermane për Studime Gjeologjike në Potsdam, në bashkëpunim me Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në Tiranë, ka ndërmarrë instalimin e 30 sizmografëve portabël në zonën mes Shëngjinit dhe Durrësit për të kuptuar shkaqet e tërmetit të 26 nëntorit dhe sjelljen në vijim të pllakave tektonike në rajonin bregdetar.

Ardhja e specialistëve gjermanë është mundësuar nga Ambasada e Gjermanisë në Tiranë, e cila në një njoftim e postuar në Facebook, thekson se “për të kuptuar më mirë shkaqet e tërmeteve të fundit në Shqipëri, Qendra për Studime Gjeologjike në Potsdam, në bashkëpunim me studiues gjeologë shqiptarë, ka instaluar 30 sizmografë portabël në zonën mes Shëngjinit dhe Durrësit.” “Ata do të shënojnë edhe lëvizjet më të vogla deri në fund të shkurtit, duke u krijuar mundësi gjeologëve të të shohin brenda lëvizjeve nën sipërfaqe,” – thuhet më tej në njoftimin e Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë.

Qendra Gjermane për Studime Gjeologjike është pjesë e Shoqatës Helmholtz të Qendrave Gjermane të Kërkimit, një grupim prej 19 qendrash të ndryshme kërkimore, buxheti vjetor prej rreth 4,56 miliardë euro i së cilës mbulohet nga qeveria federale.

Sizmografët janë instaluar në tokë, në një zonë nga Durrësi në Shëngjin, dhe të dhënat që do të mblidhen pritet të shërbejnë për të kuptuar më mirë ndryshimet që kanë ndodhur në koren e tokës së rajonit bregdetar të Durrësit.