Tërmeti / Durrës, akuzohen për shpërdorim detyre dhe vrasje, priten masat e sigurisë për të ndaluarit

0
1

Nëntë të ndaluarit me urdhër të Prokurorisë së Durrësit priten të dalin sot para një trupi gjykues në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës për të mësuar masat e sigurisë në funksion të procesit hetimor për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Të shtunën e javës së kaluar, Prokuroria e Durrësit dhe Policia e Shtetit në Durrës njoftuan, përmes një konference për mediat, rezultatin e veprimeve të deritanishme hetimore për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Anita Jella, drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, dhe kryekomisar Lorenc Shehu, drejtori i Drejtorisë së Policisë së Shtetit në Durrës, zhvilluan një konferencë të përbashkët për mediat, ku theksuan se hetimet janë përqendruar në zbulimin e shkaqeve dhe personave përgjegjës për dëmet që pësuan objektet e shumta në Durrës nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Nga veprimet e para hetimore të kryera dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit,” – thuhej në deklaratën e përbashkët për shtyp të Prokurorisë së Durrësit dhe Policisë së Shtetit në Durrës. Më tej, në deklaratë u theksua se, mbështetur në provat e administruara, ishte vendosur ndalimi i 17 personave. Nëntë prej urdhërave të ndalimit ishin ekzekutuar, dhe personat e ndaluar dhe akuzat përkatëse ndaj tyre ishin si vijon:

  • Arben Isaku, nëndrejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës (ish-drejtor i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale në Durrës), i dyshuar si autor i veprës penale të shpërdorimit të detyrës
    Klajdi Lame, inspektor i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Durrësit, i dyshuar si autor i veprës penale të shpërdorimit të detyrës
  • Albrend Qetka, specialist i verifikimit në terren pranë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale në Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale të shpërdorimit të detyrës
  • Kujtim Hasa, nëndrejtor dhe shef i shërbimeve të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale të vrasjes me dashje
  • Ahmet Doda, drejtor i Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale të shpërdorimit të detyrës
  • Rruzhdi Xheka, ndërtues informal në objektin Hotel “Mira Mare”, i dyshuar si autor i veprës penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese
  • Avdulla Osmani, ndërtues informal në objektin Hotel “Tropikal” (legalizuar më vonë në mënyrë të paligjshme), i dyshuar si autor i veprës penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese
  • Dëfrim Celami, specialist që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në pallatin e shembur në lagjen 6, i dyshuar si autor i veprës penale të shpërdorimit të detyrës
  • Nevjana Isufi, arkitekte dhe administratore e studios private të projektimit J & F Architectural Designer në Durrës, e dyshuar si autore e veprave penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve

Në deklaratën e përbashkët për mediat, Jella dhe Shehu nënvizuan se “vijon puna e pandërprerë në terren për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë.” Ndonëse për arsye hetimore emrat e personave në kërkim nuk u bënë të ditur, mësohet se mes tyre janë edhe shtetasit:

  • Artur Çela, ish-drejtor i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë e Durrësit
  • Artur Terziu, pronari i lokalit “Baron’s Bar” në lagjen 6 në Durrës
  • Dëshira Qato dhe Arben Qato, pronarë të Hotelit “Vila Palma” tek Shkëmbi i Kavajës në Durrës
  • Aldo Dakovelli dhe Artemis Malko, punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës

Personat e ndaluar do të dalin sot para një trupi gjykues, i cili pritet të konfirmojë akuzat e ngritura dhe të vendosë për masat e sigurisë deri në përfundim të hetimeve.