Tërmeti / Basha në Shënavlash të Durrësit: Fatkeqësia natyrore është kthyer në fatkeqësi shtetërore

0
3

Kryedemokrati Lulzim Basha ishte sot në Shënavlash të Durrësit, ku u takua me banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Basha u shpreh se shumë prej tyre vijojnë të kalojnë ditët në çadra, pa ngrohje e pa ushqim.

“Sot vizitova banorët e Shënavlashit, të harruar edhe nga propaganda e qeverisë, – shkruan Basha në postimin e tij në Facebook për takimin me banorët e fshatit Shënavlash. – Pas traumës së tërmetit të 26 nëntorit, qytetarët janë futur tashmë në sfidën e mbijetesës. Të braktisur nga qeveria, e cila ka dështuar në gjithçka përveç propagandës çnjerëzore që nuk kursen as fëmijët që humbën prindërit, mijëra familje janë lënë në mëshirë te fatit. Shumë prej tyre vazhdojnë të kalojnë netë të ftohta në çadra, pa ngrohje, pa ushqim, në kushte të mjerueshme.”

“Është skandaloze që tre javë pas tërmetit nuk ka ende një bilanc të dëmeve, – vijon më tej lideri demokrat. – Është kriminale që banesat e shpalluara të pabanueshme të rivlerësohen të banueshme vetëm se qeveria e Ramës nuk do të prekë paratë që u jep oligarkëve. Është kriminale që qytetarët jetojnë ende në çadra, pa asnjë përkrahje që të mos preken 150 milionë dollarë që janë ndarë nga Rama për koncesionet e 10 oligarkëve.
Kjo fatkeqësi natyrore është kthyer tashmë në një fatkeqësi shtetërore.”