Ballina Aktualitet Tepelenë, kryedemokrati Basha: Të marrë fund kulti i krimit të trashëguar nga...

Tepelenë, kryedemokrati Basha: Të marrë fund kulti i krimit të trashëguar nga diktatura (VIDEO)

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar edhe nga disa deputetë ka vizituar ish-kampin e internimit të Tepelenës. Basha shoqërohej gjithashtu edhe nga disa të mbijetuar të një prej kampeve më të tmerrshëm të diktaturës komuniste, ndërsa mendohet se më shumë se 3 mijë vetë u mbajtën në këtë kamp nga viti 1949 deri në vitin 1953, kryesisht gra, pleq e fëmijë.

“Nga pikëpamja ligjore, ky është krim kundër njerëzimit, sepse, nëqoftëse një në tre humbën jetën për shkak të kushteve qëllimisht shfarosëse, çnjerëzore, atëherë këtu bëhet fjalë për kamp shfarosjeje, – ka thënë lideri demokrat Basha. – Duke qenë se gjithçka u zhvillua edhe pa legjislacionin që diktatura e përdorte për të burgosur dhe për të ekzekutuar kundërshtarët e regjimit dhe u drejtua kryesisht kundër familjarëve të tyre, nuk ka asnjë diskutim se edhe motivi i xhelatëve që i sollën këtu, edhe mënyra e veprimit këtu kishte një qëllim, shfarosjen e tyre.”

Kryetari i PD denoncoi njëkohësisht edhe kultin e krimit që mbizotëron sot tek partia në pushtet, duke thënë se ky kult kishte mbijetuar si virus gjatë procesit të paplotë të shndërrimit të Partisë së Punës në Parti Socialiste, dhe që tani po shërbente si një politikë për të marrë pushtetin me kriminelë apo, më tej, për ta mbajtur atë me kriminelë. Lideri i opozitës vuri në dukje gatishmërinë e PD për të ndërmarrë nisma të mëtejshme parlamentare dhe publike për dënimin e krimeve të komunizmit dhe shprehu besimin se në këtë përpjekje PD dhe opozita nuk do të ishin vetëm, por bashkë me shumë faktorë të shoqërisë, pasi kishte ardhur koha që kulti i krimit të marrë fund.