Ballina LAJME Të shtëna me armë në Kosovë, plagoset menaxheri i VIP-ave

Të shtëna me armë në Kosovë, plagoset menaxheri i VIP-ave

Menaxheri i kompanisë ‘On Records’ Met Elshani është përfshirë në një ngjarje jo shumë të këndshme. Ai është plagosur nga disa të rinj me armë zjarri në lagjen Dardania në Kosovë, por duket se nuk ka pasur pasoja të rënda për të.

Në njoftimin zyrtar të policisë ngjarja ka ndodhur në lagjen “Dardania” rreth orës 15:00 dhe se i plagosuri është M.E (Met Elshani), i cili është dërguar në QKUK, për të marrë ndihmën mjekësore pas plagosjes me armë zjarri. Po sipas policisë i plagosur ka mbetur dhe një 23 vjeçar, i cili gjithashtu po merr ndihmën e specializuar.

Ndërkohë burime jozyrtare tregojnë se Elshani ka marrë dy plumba në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën. Në lidhje me këtë ngjarje, 4 persona janë vënë në pranga si të dyshuar për përplasjen me armë.

Pas plagosjes, Meti ka dhënë një deklaratë për mediat kosovare ku ka folur publikisht për personat e përfshirë. “Kanë qenë disa persona të panjohur të cilët as nuk më kanë folur as asgjë vetëm më kanë goditur. Nuk i njoh personat nuk i di motivet dhe asgjë tjetër.

Ata kanë qenë të rinj dhe rinia tashmë kanë devijuar në një mënyrë sepse e kanë lënë shkollë prapa dhe janë duke u marrë me disa punë se si të vijnë tek fama dhe te paraja. Po besoj që do të kthehen në rrugë të drejtë”, është shprehur ai. Sipas raportimeve, policia ka shoqëruar 4 persona të dyshimtë, ndërsa pranë Elshanit kanë qenë miqtë dhe kolegët e tij.