Ballina OPINION Të huajt duhet të vijnë, ne nuk ia dalim dot

Të huajt duhet të vijnë, ne nuk ia dalim dot

Nga Ben Andoni

Edhe njeriu me gjykimin me logjik apo më të ftohtë nuk mund të zgjidhë dot si duhet rebusin politik shqiptar. Paktet, marrëveshjet e momenteve të fundit, kulisat e pafundme dhe talljet janë baza e një koncepti që të huajt për ta thjeshtuar e kanë përmbledhur në nëndarjet e kategorisë “Ballkanizim”. Ky term gjeopolitik që më së shumti i referohet procesit të fragmentimit ose ndarjes së një rajoni apo shteti në rajone më të vogla ose shtete që janë shpesh armiqësore ose jo bashkëpunuese me njëri-tjetrin, pothuaj përmbledh të gjithë atë që ndodh me ne. Por, shqiptarët e sotëm kanë nevojë të jetojnë normalisht. Një element, që elitat politike të vendit nuk mund t’ia japin bashkatdhetarëve të tyre. Së fundmi, përpjekja që po bën presidenti duke e qesëndisur Reformën në Drejtësi nxjerr realisht në pah problemin e vërtetë: Frikën jo të pakët nga Reforma dhe përpjekja për ta dështuar atë ka gati konsensusin në masën mbi 50% të politikanëve. Me realizimin e strukturave dhe sidomos SPAK-ut, problemi është që përballja e parë do t’u takojë atyre dhe sidomos shpluhurosjes së dosjeve të vetë tyre. Kurse procesi i integrimit dukshëm është i vështirë ngaqë të gjitha palët politike shqiptare  e kanë të vështirë t’i lenë privilegjet që rrjedhin pas ngushtimit që po i bëjnë proceset e integrimeve evropiane.

Edi Rama sëbashku me Lulzim Bashën mbartin peshën më të madhe të gabimit, pasi nuk mundën ta afronin vendin tonë ashtu si duhet në hapjen e negociatave me një sherr që nisi turpshëm në parlament dhe u transferua në sheshe dhe rrugë. Kurse e gjithë klasa politike që e ndjek verbalisht këtë kinse dikotomi thjesht ka qenë dekori i turpshëm. Paçka çfarë është thënë për mbrojtjen e Kushtetutës, ne kemi humbur shpresën me këta përfaqësues për shkak të përballjes së turpshme që kanë me realitetin. Vetting-u për politikanët, nëse do të bëhej, do vërtetonte tmerrin se ku janë zhdukur shumë nga pasuritë dhe asetet e këtij vendi, por edhe ku mund të gjendet origjina e konfikteve, varfërisë dhe e krizave që nuk dinë të mbarojnë, pasi pasuritë e politikanëve tanë janë realisht të frikshme. Por, ai nuk bëhet, kurse ata zgjasin e zgjasin krizat për t’i lënë shqiptarët në këtë gjendje të trishtë.

Ne nuk dimë të bëjmë shtet funksional demokratik dhe tre dekadat po e provojnë këtë më së miri. Është e turpshme, por e vetmja gjë që mund të themi në këto momente, ku vetë BE është e çoroditur prej pragut të zgjedhjeve se të huajt duhet të vijnë një orë e parë. Ne nuk ia dalim dot vetë, pa ngucjen e të huajve.