Ballina Aktualitet Të enjten, PS nis procedurat për shkarkimin e Ilir Metës si President

Të enjten, PS nis procedurat për shkarkimin e Ilir Metës si President

Partia Socialiste do të nisë të enjten procedurat për shkarkimin e Ilir Metës si President. Vendimi i mor në mbledhjen e Kryesisë, ku i pranishëm ishte edhe Rama.

Elisa Spiropali, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke folur për gazetarët pas mbledhjes tha se të enjten Kuvendi do të zhvillojë një debat për gjatë, “duke shtjelluar të gjithë argumentat sesi Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, në asnjë Kushtetutë dhe aq më pak të quajtur çdekretim”.

Kur u pyet nëse PS i ka 94 vota për shkarkimin e  Presidentit, Spiropali devijoi me përgjigjen duke sjellë në vemendje edhe njëherë se Gjykata Kushtetuese është institucioni fundor për zgjidhjen.

E bindur, Sekretarja për bashkëqeverisjen dhe aleancat, njëkohësisht dhe anëtare kryesie tha se me 30 qershor do të ketë zgjedhje.

Elisa Spiropali: Kryesia e PS ka diskutuar mbi aktin brutal të Ilir Metës mbi Republikën parlamentare të Shqipërisë dhe kryesia e PS-së ka vendosur që të enjten në seancën plenare të zhvillojë një debat të gjatë parlamentar duke shtjelluar të gjithë argumentat sesi Ilir Meta ka sulmuar brutalisht Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, në asnjë Kushtetutë dhe aq më pak të quajtur çdekretim. Ky debat do ti përmbledhë të gjithë argumentat tonë dhe në fund do ti takojë Kolegjit Zgjedhor apo KQZ-së ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike, por ne si Kryesi e PS-së mendojmë që Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion dhe sigurisht parlamenti i Shqipërisë do të fillojë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga pozicioni i Presidentit të Republikës.

Gazetarja: Kur do të nisë procedura?

Elisa Spiropali: Do të nisë menjëherë në seancën parlamentare të enjtes ku të gjithë argumentat do të shtjellohen plotësisht dhe po ju them që është detyra jonë politikke për të mbrojtur Kushtetutën, rendin kushtetues në vend dhe Republikën tonë parlamentare.

Gazetari: Shkarkimi kërkon 94 vota, i keni?

Elisa Spiropali: Do ti takojë Gjykatës Kushtetuese në fund ashtu si ligjin e  parashikon, por kjo nuk na heq ne të drejtën për të filluar shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Me 30 qershor do të kemi zgjedhje, data është 30 qershor.

PS mblodhi kryesine e PS-se menjehere pas firmosjes nga presidenti Meta te anulimit te dates se zgjedhjeve, 30 qershor.