Të dhënat zyrtare mbi COVID-19 në Shqipëri! A është situata serioze?

41

Autoritetet shëndetësore publikuan para pak çastesh të dhënat e 24 orëve të kaluara për situatën epidemiologjike në vend, për fashën 00:00-24:00 të së premtes së djeshme, 21 gusht 2020.

Nga 837 testimet e kryera rezultuan ditën e djeshme 156 persona të infektuar me Covid-19. Një ditë më parë ishin 152 të prekur mes 864 të testuarve, në Institutin e Shëndetit Publik dhe subjekte private.

Në dy spitalet Covid gjenden aktualisht 141 të shtruar. Mes tyre janë 20 vetë në gjendje të rëndë nën terapi intensive dhe mes tyre, 9 persona të intubuar, me frymëmarrje të drejtuar. Një ditë më parë shënoheshin 137 të shtruar, nga të cilët 24 në reanimacion dhe prej tyre, 7 të intubuar.

Në 24 orët e kaluara u shëruan 88 qytetarë kurse ditën pararendëse, 110 të tjerë.

Këtë të premte humbën jetën pesë pacientë, një 47 vjeçar nga Shkodra, një 53 vjeçare nga Fieri, një 57 vjeçar nga Lezha, një 78 vjeçar nga Kukësi , një 78 vjeçar nga Elbasani.

Një ditë më parë, u regjistruan 2 viktima, përkatësisht 61 vjeç nga Korça dhe 83 vjeç nga Mirdita.