Të dehur në timon e me shpejtësi skëterrë, policia rrit kontrollet në kryeqytet

34

Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar kontrollet në rrugë, me radarë e dragera me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore përgjatë fundjavës.

Janë pezulluar 15 leje drejtimi të shoferëve që drejtonin automjetin nën efektin e alkoolit, janë evidentuar 5 raste ku shoferët drejtonin makinën në gjendje të dehur dhe raste të shumta të ndëshkimit me masa administrative për mosrespektim të shpejtësi të përcaktuar:

Kontrolle me radar janë zhvilluar në aksin Sauk-Teg -Tuneli i Krrabës -Teg dhe kontrolle me dragera në të gjitha rrugët e kryeqytetit.

Prej orës 19:00 të mbrëmjes e deri në 23:30 janë evidentuar nga kontrolli me radar 14 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara, shpejtësi që varionin nga 136 km/h deri 159 km/h, rrezik potencial për aksident rrugor, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit nga 2 deri në 4 muaj.

Janë ndëshkuar me masë administrative nga 2.000 deri në 4.000 lekë të rinj, 18 drejtues mjetesh për shpejtësi nga 120 km/h deri në 127 km/h.

Kontrollet kanë vazhduar në të gjitha rrugët e kryeqytetit duke përdorur alkool testuesit dhe si rezultat janë evidentuar dhe u është pezulluar leja e drejtimit 15 drejtuesve të automjeteve, të cilët drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, në masën që varionte nga 0.31 mg/l deri në 0.49 mg/l. Janë ndëshkuar me masë administrative nga 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj 24 drejtues mjetesh për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit që varionte nga 0.07 mg/l deri në 0.28 mg/l.

Gjithashtu, janë evidentuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 5 drejtues mjetesh që drejtonin mjetin🚘 në gjendje të dehur.