Ballina Ekonomi / Biznes Ekonomi, tatimi mbi të ardhurat, çfarë do të ndryshojë në vitin 2019

Ekonomi, tatimi mbi të ardhurat, çfarë do të ndryshojë në vitin 2019

Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e djeshme gjatë mbledhjes së tij të radhës një seri projektligjesh e vendimesh, si edhe paketën fiskale që përfshin disa ndryshime të rëndësishme në ligje, si ai për tatimin mbi vlerën e shtuar apo ai për tatimin mbi të ardhurat.

Referuar ndryshimeve, në ligj do të bëhen disa shtesa lidhur me atë që do të konsiderohet e ardhur në burim, e cila tashmë do të përfshijë edhe të drejtat për shfrytëzimin e pasurive minerale, të drejtat për shfrytëzimin e pasurive hidrokarbure ose të drejta të tjera për shfrytëzimin e burimeve natyrore tokësore dhe ujore. Gjithashtu, në ligjin për të ardhurat ka ndryshuar edhe neni për mbajtjen në burim të të ardhurave, duke i diferencuar në dy nivele taksimi, 15 përqind dhe 8 përqind.

Kështu, 15 përqind, sipas projektligjit të miratuar në qeveri, do të mbahen si tatim në burim nga  interesat dhe pagesat e ngjashme me to, pagesat për të drejtat e autorit dhe për pronësinë intelektuale, pagesat për shërbimet teknike, shërbimet e menaxhimit, shërbimet e konsulencës, shërbimet financiare e të sigurimit, pagesat për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues, pagesat për ndërtimin, instalimin, montimin ose për punë mbikëqyrëse që lidhen me to, pagesat për qiratë, pagesat për shfaqjet e aktorëve, të muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla që u bëhen personave të cilët punësojnë artistë ose sportistë apo ndërmjetësojnë për shfaqjet e tyre, të ardhurat e individëve nga lojërat e fatit dhe kazinotë. Ndërkohësa, shkalla 8 përqind do të aplikohet për dividentët dhe ndarjen e fitimit.

Norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8 përqind do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara, të realizuara në vitet 2018 e më parë.