Tatimet: Gati 11 mijë punonjës nuk deklaruan pagat reale, si u rrit formalizimi në dy muaj

64

Drejtoria e Pёrgjithshme e Tatimeve njofton se nё zbatim dhe ndjekje tё Planit Operacional 2020, ka marrë një sërë nismash të rëndësishme pёr realizimin e objektivave tё pёrcaktuara. Njё ndёr nismat e marra ёshtё edhe aksioni për informalitetin në punë. 

Pas kryerjes sё analizёs sё tё dhёnave tё muajit Qershor tё pagave tё deklaruara, u konstatuan paga nёndeklarim nё disa profesione tё ndryshme si: Inxhinier, Ekonomist, Farmacist, Mekanik, Murator, Saldator, Teknik etj nё vlerёn 26.000 Lekë (në nivelin e pagës minimale). 

Nga profesionet e analizuara tё lartpёrmendura, u identifikuan me parregullsi nё deklarimin e pagave njё numёr prej 5.359 tatimpaguesish dhe 10.785 punonjës. 

Nisur nga kёto tё dhёna, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve iu ёshtё drejtuar me letra të personalizuara si punëdhënësve ashtu edhe punëmarrësve tё identifikuar. Në kёto letra iu ёshtё kërkuar tё dy kategorive qё tё pёrmbushin detyrimin ligjor pёr deklarimin real tё nivelit të pagës ana e punёdhёnёsit, por gjithashtu kёrkohet bashkёpunim dhe ndёrgjegjёsim tё njёjtё edhe nga punёmarresit, tё cilёt duhet të kërkojnё deklarimin real të pagës nga kёta punëdhënës. 

Në total u dërguan 5.270 letra për punëdhënësit dhe 10.170 letra për punëmarrësit.  

Kjo nismё e ndёrmarrё ka rezultuar me një reagim pozitiv nga ana e Tatimpaguesve tё adresuar.  

Nga krahasimi i nivelit të pagave të deklaruara për muajin Gusht, u vu re njё pёrgjigje pozitive me njё rritje nё total tё pagave prej 2 464 189 lekë, nga të cilat 1 775 978 Lekë kontribute dhe 688 211 lekë TAP.  

Gjatё muajit Shtator, u vu re pёrsёri njё rritje nё 3 508 941 Lekë kontribute dhe 978 947 Lekë TAP, me një total prej 4 487 888 Lekësh. 

Efekti total i rritjes për të dy muajt Gusht-Shtator ishte 6 952 077 Lekë, nga të cilat 5 284 919 Lekë kontribute dhe 1 667 158 Lekë TAP.  

Pёrsa i pёrket tatimpaguesve, tё cilёt nuk reflektuan asnjё ndryshim pas marrjes së kёtij njoftimi, Drejtoria e Pёrgjithshme e Tatimeve ka vendosur që të pёrzgjedhё njё numёr tё caktuar tatimpaguesish, tek tё cilёt vёrehet dhe njё numёr më i  lartë i punonjёsve, listё kjo e cila do tё dërgohet tek strukturat e verifikimit në terren pёr verifikime tё mёtejshme. 

Drejtoria e Pёrgjithshme e Tatimeve thekson se do tё vazhdojё luftёn kundёr Informalitetit jo vetёm nё sektorin e pagave, por nё tё gjithё sektoret e ekonomisё. Pёr kёtё arsye i inkurajojmё tё gjithё qё pёr ҫdo parregullёsi tё vёrejtur ose shkelje tё konstatuara tё na informojnё duke na u bashkuar nё nismat tona./monitor.