Ballina OPINION Tango dyshe kërkon më shumë

Tango dyshe kërkon më shumë

nga Fatos Çoçoli

Kumti i djeshëm i numrit një të partisë së sotme në pushtet(kryeministrit të vendit) se, nëse partitë opozitare të vetëmërguara nga Kuvendi fi tojnë një bashki të vetme … më shumë në garën vendore të 25 qershorit 2019, atëherë do të kemi menjëherë në shtator zgjedhje të parakohshme përbën lëshimin e parë të pozitës. Pyetja një milion dollarësh këtu është: a do të ketë kjo parti që organizoi dje një kongres “nga fitorja në fitore” lëshime të tjera? A është e gatshme t’i bëjë, për hir të kthimit të qetësisë dhe normalitetit të jetës në këtë vend? Pikërisht tani, e përkëdhelur në sedër nga mbështetja e pakushtëzuar e të gjithë faktorit ndërkombëtar? E sigurtë se e ka të terezitur garën zgjedhore, aq sa ta fillojë praktikisht fushatën një muaj e tre javë përpara 40 ditëshit zyrtar? Apo do të qëndrojë “shkëmb graniti” në guaskën e saj krenare të “bashkëqeverisjes me qytetarët”, që është dhe do të ngelet një utopizëm dhe pupulizëm i pastër? Një kongres zgjedhor i organizuar gjysmë në rrugë, me fjalime patetike dhe pa asnjë analizë konkrete dhe kritikë e debat se çfarë u bë keq apo nuk shkoi në qeverisjen vendore të socialistëve në vitet 2015-2018. Një aradhë suksesesh dhe listash dëshirash për të bërë mirë për katër vitet e ardhshme(edhe pse mbështetur në një histori reale suksesi ai ajo e kryetarit të sotëm të bashkisë së kryeqytetit), ndërkohë që në katër vitet që lamë pas i janë larguar Shqipërisë 360 mijë vetë!

Ose 60 mijë persona më shumë se sa premtimi i bujshëm për 300 mijë vende të reja pune i kësaj partie (edhe i një tjetre përpara kësaj), asnjëherë i mbajtur. Ajo që pamë dje ishte gjithçka, vetëm një tribunë e mendimit të lirë partiak, ku të mbizotërojë shqetësimi për situatën e sotme politike të vendit nuk ishte. Nuk ishte një analizë e thellë e kostos së jashtëzakonshme që po mbajnë shpatullat e brishta të imazhit të Shqipërisë si vend i qëndrueshëm dhe normal, apo supet e një ekonomie tejet premtuese, por plotësisht peng e papërgjegjshmërisë ekstreme të politikës, si kjo e jona. Nuk pamë një ndjenjë përgjegjshmërie dhe faji apo pranimi gabimi, lidhur me “çmendjen” aktuale të opozitës reale të vendit, që braktisi pa kthim parlamentin. Duke e bërë këtë parlament absurd dhe tërësisht grotesk për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar. Një kongres zakonisht shërben si një moment reflektimi për çfarë është arritur dhe çfarë jo në premtimet e dhëna votuesve dhe gjithë vendit për periudhën që kaloi. Këtë reflektim, këtë analizë të thellë dhe nxjerrje përgjegjësish konkrete për gabimet(pse jo edhe fajet) e qeveritarëve që sot kjo parti nuk i ka më mes vedit, nuk e pamë dje në kongresin zgjedhor të partisë Socialiste. Ajo është partia më e madhe e vendit. Ajo mban dhe përgjegjësitë më të mëdha për gjendjen e sotme politike të Shqipërisë sonë. Ajo priti një Godo që mesa duket nuk do t’i vijë për një kohë të gjatë, themeluesin dhe frymëzuesin e shpirtit liberal brenda saj. Ia bëri ftesën të vinte, e priti me padurim të vinte dhe ishte krejtësisht e pasigurtë nëse Godo-ja(Fatos Nano) do të shfaqej në çastet e fundit.

Nuk e pati këtë dhuratë. Në vend të saj, na dhuroi ne qytetarëve një spektakël entuziazmi fals dhe hipokrit, pasi gjendja reale është shumë e rëndë. Partia më e madhe e vendit nuk mund të bëjë strucin. Nuk mund të fshihet pas sukseseve imagjinare ose reale të korrura deri tani në pushtet. Kjo parti duhet të kishte kërkuar me forcë nga kryetari i sotëm i shtetit, të cilin e ka zgjedhur vetë, që të thërrasë tryezën e partive kryesore politike të vendit. Dhe në këtë tryezë të paraqiten opsionet, variantet për zgjidhjen e krizës. Sado false apo fantapolitike të mund të tingëllojë sot kjo kërkesë, do të shërbente për uljen e gjakrave dhe kthimin real të ndërluftuesve në rrugën e dialogut. Partia më e madhe e vendit nuk duhet të dehet me miratimin e ndërkombëtarëve për qëndrimet e saj ndaj reformës në drejtësi. Kjo parti për këtë reformë ka bërë vetëm detyrën. Tani ka një detyrë shumë më të madhe përpara vetes. Të rikthejë mrekullinë e 17-18 prillit të dy viteve më parë. Të ripropozojë një marrëveshje ndoshta aspak të ngjashme, por me po aq peshë sa marrëveshja e në të gdhirë të datës 18 prill 2017, që shpëtoi vendin nga përshkallëzimi i një krize të jashtëzakonshme politike me opozitën-çadër jashtë zgjedhjeve të përgjithshme. Tango e demokracisë dhe e garës së drejtë zgjedhore luhet dyshe dhe Partia Socialiste ende nuk e ka siguruar partnerin e saj në garë, me gjithë garancitë e ndërkombëtarëve, që do të gabojë rëndë, po t’i konsiderojë si qetësuesit e duhur për këtë dhimbje të madhe koke në nivel kombëtar.