Ballina Aktualitet Super-skema e mashtrimit, zhdukën 725 milionë dollarë, vëllezërit indianë që jetojnë në...

Super-skema e mashtrimit, zhdukën 725 milionë dollarë, vëllezërit indianë që jetojnë në Tiranë

Urdhri i një gjykate në New Delhi për ekstradimin e dy shtetasve indianë, Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara është maja e ajsbergut të një skandali gjigant financiar, e cili përfshin edhe Shqipërinë.

Dy vëllezërit Sandesara, të cilët akuzohen për një skemë pastrimi parash prej 725 milionë dollarësh amerikanë, aktualisht janë duke ndërtuar pallate në Shqipëri.

Dy vëllezrit Sandesara kanë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike Sterling Biotech. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.

Deri vonë autoritetet indiane besonin se Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara ishin arratisur në Nigeri. Por e vërteta ishte krejt ndryshe.

Gjatë kohës që ishin në kërkim nga autoritetet indiane dhe skandali ishte bërë publik edhe në mediat ndërkombëtare, dy vëllezërit Sandesara kanë mbërritur në Shqipëri.

Madje në 6 shkurt të vitit të kaluar, kur kërkoheshin në të gjithë planetin, ata kanë arritur të marrin nënshtetësinë shqiptare, një proces gjatë së cilit cdo individ I huaj kalohet në sitë nga shërbimi informativ shtetëror dhe autoritetet e tjera të rendit.

Madje vetëm një muaj më parë Nitin Sandesara është pritur zyrtarisht edhe nga kryeministri i Kosovës Rramush Haradinaj, takim të cilin shefi i qeverisë kosovare e ka bërë publikë në profilin e tij në facebook.

Me ardhjen në Shqipëri në fund të vitit 2017, Nitin dhe Chetankumar Sandesara kanë ngritur dy kompani në sektorin e ndërtimit, Tulja Real Estate dhe Laxmi Real Estate siç tregojnë dokumentet e regjistrimit në qendrën kombëtare të biznesit.

Të dy kompanitë janë të regjistruara me adresë në zonën e liqenit të thatë të Tiranës. Pikërisht në buzë të liqenit të thatë, Laxmi Real Estate është duke ndërtuar pallat bashkë me një kompani shqiptare, siç tregon leja e ndërtimit e dhënë nga Bashkia e Tiranës në nëntor të vitit të kaluar.

Ndërtimi është cilësuar nga departamenti amerikan i shtetit dhe zyra europiane për parandalimin e pastrimit të parave si sektori më me risk për pastrimin e parave në Shqipëri.

Debati politik për pastrim parash në ndërtim vazhdon. Ndërkohë dy personat më të kërkuar në Indi për vjedhje dhe pastrimin e 725 milionë dollarëve amerikanë janë duke ndërtuar pallate në Shqipëri, madje tashmë si shtetas shqiptarë.