Ballina Aktualitet Studimi, braktisja e arsimit të lartë, 40 përqind e të rinjve vetëm...

Studimi, braktisja e arsimit të lartë, 40 përqind e të rinjve vetëm me arsim bazë

Të joshur kryesisht nga emigracioni, të rinjtë shqiptarë nuk preferojnë më të vijojnë studimet pas arsimit bazë. Sipas të dhënave nga studimet e kryera nga Instituti i Statistikave, rreth 40 përqind e të rinjve të moshës 25 vjeç deri në 39 vjeç janë vetëm me arsim bazë.

Pjesën më të madhe të të rinjve, pasi mbarojnë arsimin bazë, kushtet ekonomike i detyrojnë të përfshihen në tregun e punës apo t’i drejtohen emigracionit.

Por, mungesa e formimit ndër të rinjtë shqiptarë është një lajm i keq për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, në një kohë që epoka ku po jetojmë kërkon aftësi të thelluara dhe mësim gjatë gjithë jetës për t’u përshtatur me përparimin e teknologjisë.

Kjo braktisje e arsimit të lartë është më e dukshme tek djemtë. Sipas studimit të INSTAT, ka një raport më të lartë të djemve, krahasuar me vajzat, në arsimin parauniversitar, ndërkohë që në arsimin e lartë 59,7 përqind e studentëve të këtij janë vajza.

Nga ana tjetër, të dhënat administrative që burojnë nga zyrat vendore të punësimit tregojnë se, punëkërkuesit e papunë vetëm me arsim bazë përbëjnë 52 përqind të totalit të të papunëve që janë regjistruar në kërkim të një pune.

(marrë me shkurtime nga revista Monitor)