Ballina Shëndetësi Studim i ri mbi përfitimet dhe pasojat e përdorimit të aspirinës

Studim i ri mbi përfitimet dhe pasojat e përdorimit të aspirinës

Dihet se marrja e një doze të vogël aspirine çdo ditë i ndihmon ata që kanë patur goditje në zemër. Por, një studim i ri ka gjetur se për shumicën e njerëzve rreziqet janë më të pakta se sa përfitimet nga përdorimi i aspirinës. Ndërsa shumë njerëz përdorin aspirinën kur kanë dhimbje koke apo të muskujve, mjekët prej kohësh rekomandojnë marrjen ditore të një doze të vogël aspirine për parandalimin goditjeve në zemër, tru apo problemeve në zemër për ata që janë prekur nga këto sëmundje.

Një hulumtim i ri ka testuar nëse aspirina mund të ndikojë në parandalimin e problemeve të para në zemër. Rezultatet e tre studimeve të veçanta japin një përgjigje negative. Një tjetër studim me mbi 15 mijë të rritur me diabet gjeti se përfitimet nga aspirina ishin më të vogla se rreziqet e mëdha nga gjakderdhjet serioze.

Jane Armitage në Universitetin e Oksfordit thotë: “Vumë re një rritje me pothuajse 30 përqind të rrezikut për gjakderdhje me pasoja serioze të shtrimit në spital. Gjakderdhje kryesisht në stomak, ose në sy apo tru. Gjakderdhja në sy mund të sjellë pasoja verbimi.”

Bazuar në këto studime të publikuara në Shoqërinë Evropiane të Kardiologjisë, këshillat mbeten të njëjta, mjekët thonë se aspirina më së miri sjell përfitime për njerëzit e prekur nga sëmundjet e zemrës.