Ballina OPINION Studentët në Shqipëri si jelekverdhët në Francë? Pse Rama gabon si Macron...

Studentët në Shqipëri si jelekverdhët në Francë? Pse Rama gabon si Macron duke kërkuar negociata me…

Nga Genc Burimi

Nuk është e sigurt nëse ka një marrëdhënie midis lëvizjes së jelekëve të verdhë në Francë dhe lëvizjeve të protestës që kanë përfshirë një sërë vendesh në Europë, duke përfshirë dhe Shqipërinë. Por një gjë është e sigurt. Këto lëvizje po ndodhin në të njëjtin moment (Shqipëri, Belgjikë, Holandë, Serbi, Bullgari, Suedi etj.), ashtu si në kohën e revolucionit studentor francez të majit 1968, i cili pati impakt në mbarë Europën.

Ndryshimet janë megjithatë të mëdha, siç do ta shohim në këtë shkrim në rastin e manifestimeve të studentëve në Shqipëri. Por një emërues të përbashkët e gjen pa sforco në të gjitha këto protesta. Ato shprehin hendekun gjithnjë e më të madh midis anës legale dhe anës legjitime të masave që merren nga qeveritë dhe parlamentet. Çdo ligj, çdo rregullore që del nga një pushtet i zgjedhur demokratikisht, është legal. Por kjo nuk do të thotë se vendimet që marrin pushtetet janë gjithmonë legjitime, gjë që çon në lëvizjet spontane të protestave, të cilat po shumëfishohen kohët e fundit falë edhe rrjeteve sociale.

STUDENTËT NË SHQIPËRI PA PLATFORMË POLITIKE

Ndryshe nga lëvizja e jelekëverdhëve në Francë, ku hapur shkohet deri te kërkesa për rrëzim të Presidentit Makron dhe po imagjinohet tani një organizim i tipit partiak që t’u lejojë jelekëverdhëve të hyjnë në zgjedhjet europiane të qershorit të ardhshëm, në Shqipëri studentët duken shumë më të moderuar. Po të lexohet “manifesti” i tyre me tetë pikat e kërkesave, nuk gjen aty asgjë politike, gjë që më kujton kërkesat e para te ne, ish-studentëve të dhjetorit 1991. Në fillim patëm thelbësisht vetëm kërkesa për përmirësim kushtesh në auditorë dhe në konvikte. Shumë ditë më vonë, me afrimin e intelektualëve në radhët tona, integruam kërkesa të tipit politik dhe institucional, siç qe ajo më e rëndësishmja për atë epokë, pluripartizmin. Kjo do të thotë që nuk është e pamundur që kërkesa të tilla të karakterit politik të mos u bashkëngjiten kërkesave aktuale të studentëve. Por është fakt se tani për tani këto kërkesa mbeten vetëm ekonomike. Te jelekëverdhët në Francë, po ashtu si në Shqipëri, kërkesat fillestare qenë ekskluzivisht të tipit ekonomik. Në Shqipëri, siç dihet studentëve u shërbeu si shkëndijë bërja me pagesë e disa kategorive provimesh, pikërisht provimet që kalohen për herë të dytë si në rastin e “ ngelësve”. Në Francë, flakën fuçisë me barut ia vuri shtimi i një takse ekologjike mbi çmimet e karburanteve të tipit naftë. Kjo taksë për shpëtuar “planetin” po hynte në fuqi në momentin më të keq, kur çmimet e karburanteve po ngriheshin tashmë në tregjet botërore. Midis shpëtimit të planetit dhe shpëtimit të “qeses” personale, njerëzit, sidomos ata që jetojnë në provincat franceze dhe që automjetin e kanë mjet të vetëm për të shkuar në punë, nuk hezituan gjatë se cilin kah do të merrnin. Veshën nga një jelek të verdhë si simbol i përdoruesve të abuzuar të automjeteve dhe bllokuan dhe po bllokojnë ende pjesë të ndryshme të Francës. Ata organizojnë çdo të shtunë një dyndje të egërsuar në Paris për t’iu kundërvënë elitave pushtetare aty, të cilat s’e kuptojnë se ç’përfaqëson makina për të punuar e mbijetuar, pasi në Paris parisienët kanë gjithçka, metro, RER, autobusë dhe Uber. Në Francë, shumë shpejt kjo lëvizja “ekonomike” ka devijuar në lëvizje politike, e cila vë në pikëpyetje tani dhe organizimin vetë të demokracisë franceze. Ekuacioni që shtrohet është sesi të përafrohet ana legale e një ligji me anën legjitime të tij. Përgjigjja duket e thjeshtë. Duke u konsultuar sa më shumë me njerëzit për ligje dhe masa që mund të krijojnë ndarje të thella në opinionin. A do të thotë kjo se po përjetojmë një krizë të demokracisë përfaqësuese (që konsiston në dërgimin e përfaqësueseve të popullit në Parlament) dhe kjo formë demokracie që mbizotëron në të gjitha demokracitë perëndimore duhet përzier sa herë është e mundur me forma specifike të demokracisë direkte, siç janë referendumet e herëpashershme në Zvicër? Këtë debat filozofik kanë hapur pa e kuptuar jelekët e verdhë në Francë. Po në Shqipëri jemi ende shumë larg nga këto lloj tematikash, që mund të konsiderohen si post-demokratike.

CILA ËSHTË PËRGJIGJJA E PUSHTETIT?

Nëse në Francë lëvizja ekonomike e jelekëve të verdhë devijoi në lëvizje politike dhe biles degjeneroi në dhunë ndaj institucioneve, kjo ndodhi nga vonesa e pakuptueshme e qeverisë dhe e Presidentit Makron për t’iu përgjigjur menjëherë kërkesave të para të protestuesve që kërkonin anulimin e taksës së re ekologjike mbi karburantet (+ 7 centimë euro për litër naftë). Pushteti bëri dy gabime. E para është se tha një jo të vendosur dhe e dyta është se kërkoi për të negociuar një përfaqësi të jelekëve të verdhë, ndërkohë që si në Shqipëri këta të fundit mbronin idenë se s’kanë asgjë për të negociuar, por për të imponuar më forcën ë manifestimeve. Gabimin e parë Makron e pagoi shtrenjtë, jo vetëm me shkatërrimet në Paris, porse dy javë me vonë qeveria u detyrua ta anulonte taksën, për të cilën u betua se s’do ta hiqte. Veçse, gjatë kësaj kohe jelekëverdhët e kishin transformuar kërkesën e tyre ekonomike në politike dhe tani Franca ka hyrë në qorrsokak. Gabimi i dytë i pushtetit, kërkimi medoemos i një përfaqësie nga jelekëverdhët i shtyu këta të fundit të vetorganizoheshin jo për të zgjedhur një përfaqësi sepse konsiderohen të gjithë njësoj, por për të formalizuar kërkesa të karakterit politik.

Po në Shqipëri si po vepron Rama? Ashtu si Makron, ai po gabon në dy pika. E para, ka kaluar një javë dhe ende qeveria shqiptare nuk u ka dhënë sadisfaksion protestuesve. E dyta, edhe Rama së bashku me ministren e Arsimit insistojnë për të pasur në tryezë negociatash një përfaqësi nga studentët. Gabim ky që pashmangshmërisht do ta çojë rininë shqiptare drejt politizimit të kërkesave të saja. E vetmja pikë pozitive në reagimin e Ramës në krahasim me Makronin është se që në fillim u ka thënë studentëve se ua pranon kërkesat, biles duke u plotësuar edhe kërkesa të tjera që nuk janë shprehur në tetë pikat e studentëve.