Ballina Aktualitet Strasburg, zgjedhjet për Parlamentin Evropian, edhe një shqiptar në garë

Strasburg, zgjedhjet për Parlamentin Evropian, edhe një shqiptar në garë

Shqiprim Thaçi, shqiptari me origjinë nga Kosova, është kandidat në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Ai kandidon në Belgjikë, në listën e Partisë së Gjelbër.

Parlamenti Evropian, një prej organeve ligjvënëse të Bashkimit Evropian, ka 751 deputetë, 21 prej të cilëve i përkasin Belgjikës. Zgjedhjet zhvillohen veçmas në secilin vend anëtar të BE për vendet që i përkasin, dhe në garë marrin pjesë forcat politike të atyre vendeve. Procesi i votimit mbahet nga 24 deri më 26 maj.

Partia e Gjelbër, një nga forcat politike të opozitës, ka gjashtë deputetë në Dhomën e Përfaqësuesve, dhoma e ulët e Parlamentit të Belgjikës, ndërkohë që nuk ka asnjë përfaqësues në Senat, dhoma e lartë e Parlamentit të Belgjikës. Sa i përket Parlamentit Evropian, Partia e Gjelbër ka një deputet.

Vitet e fundit, popullariteti i Partisë së Gjelbër është rritur ndjeshëm, nisur nga politikat e saj që mbrojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe nga përfshirja në radhët e saj edhe të përfaqësuesve nga komunitetet e emigrantëve që tashmë janë integruar në Belgjikë.

Kësaj risie i përket edhe Shqiprim Thaçi, që me profesion është muzikant dhe tani Belgjikën e ka bërë shtëpinë e tij. Krahas muzikës, ai aktivizohet shumë sa i përket çeshtjeve të qeverisjes lokale, duke bërë që Partia e Gjelbër ta përfshijë atë në radhët e kandidatëve. Në këtë mënyrë, edhe pse Shqipëria apo Kosova nuk janë anëtarë të BE, shqiptarët mund të kenë një bashkëkombas të tyrin në Parlamentin Evropian.