Ballina Aktualitet “Standard & Poor’s” nota pozitive për ekonominë shqiptare

“Standard & Poor’s” nota pozitive për ekonominë shqiptare

Agjencia e vlerësimit Standard & Poor’s ka publikuar sot raportin për ekonominë shqiptare, në të cilin konfirmon me nota pozitive vlerësimin B+ dhe perspektivën për periudhën në vijim.

S&P konfirmon rritjen ekonomike mesatare prej 4% edhe në vitet e ardhshme, ndërsa thekson se në aspektin fiskal Shqipëria ka performuar më mirë se vendet fqinje të së njëjtës kategori. Agjencia vlerëson gjithashtu se Shqipëria do të vazhdojë të tërheqë investime të huaja direkte solide, në sektorë me vlerë të shtuar edhe përgjatë viteve të ardhshme.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj ka reaguar për raportin e publikuar sot nga S&P duke u shprehur se pas FMN, ky raport tjetër notë pozitive për ekonominë shqiptare.

“Rritja ekonomike konfirmohet në 4.2% për vitin 2018, vlerësohet vazhdimi i konsolidimit fiskal, ulja e mëtejshme e borxhit publik dhe deficitit; Përmirësimi i klimës së biznesit dhe investimeve të huaja, që do të mbeten solide edhe përgjatë viteve në vijim. S&P vlerëson me nota tejet pozitive performancën fiskale të ekonomisë dhe thekson se Shqipëria në aspektin fiskal performon më mirë se vendet fqinje në rajon me renditjen B+, si rezultat i rritjes ekonomike të shëndetshme dhe angazhimit të qeverisë për uljen e vazhdueshme të borxhit publik, në zbatim të Ligjit Organik të Buxhetit. Borxhi publik do të vijojë trajektoren ulëse, drejt nivelit 60% në 2022. S&P vlerëson se rritja ekonomike në periudhën në vijim do të mbështetet tek rritja e konsumit dhe punësimit. Raporti konfirmon rritjen e qëndrueshme të të ardhurave, mbështetur nga performanca e fortë ekonomike dhe mirëadministrimi,” – thekson Ahmetaj.