Sport/”Air Albania” viktimë e vandalizmit,FSHF: “Përgjegjësit do të përballen me ligjin”

67

Stadumi më i rëndësishëm shqiptar ka rënë sërish pre e vandalizmave të disa tifozëve gjatë ndeshjes Tirana-Kukësi ku ulëset janë dëmtuar. Nuk është hera e parë që stadiumi bie pre e këtyre akteve vandale ku tifozeria e dëmton atë duke e konceptuar stadiumin si hapësirë për të shfaqur dhunë dhe vandalitet.

Këtë herë FSHF ka reaguar ashpër ndaj aktit duke lajmëruar se do të publikohen fotot e të gjithë atyre që janë përgjegjës për vandalizmin. Mësohet se FSHF do të bashkëpunojë ngushtë edhe me Policinë e Tiranës për evidentimin e personave dhe ndalimin e tyre.

“Këto akte vandale përbëjnë shkelje ligji dhe ne kërkojmë që personat përgjegjës të përballen me ligjin. Pas verifikimeve të kryera nga administrata e Air Albania Stadium, rezulton se janë dëmtuar 164 ulëse, nga të cilat 145 nga ana e tifozëve të Tiranës dhe 19 nga ana e tifozëve të Kukësit. FSHF ka tashmë të dokumentuara me video dhe foto personat konkretë që thyejnë ulëset dhe i flakin ato në fushë duke dëmtuar sportdashësit e tjerë si dhe duke rrezikuar edhe jetën e zyrtarëve të ndeshjes si dhe futbollistëve”, thuhet në deklaratë.

“FSHF u bën thirrje klubeve dhe grupeve të tifozerive të marrin masa dhe të respektojnë rregullin dhe ligjin në cilëndo hapsirë sportive të vendit. Po ashtu deklarohet se komisionet në FSHF do të veprojnë në bazë të rregulloreve të brendshme duke marrë masa kundër këtyre shkelësve. “Kërkojmë nga Policia e Shtetit që t’i shoqërojë personat përgjegjës në bazë të ligjit në fuqi, në mënyrë që ata të dalin para drejtësisë. Kërkojmë mirëkuptimin e tifozerive dhe u bëjmë thirrje që sëbashku t’i kthejmë stadiumet tona në mjedise familjare, ku mbizotëron festa sportive dhe jo dhuna dhe aktet vandale”-është shprehur FSHF në deklaratë.