Ballina SPORT Spektakël dhe drithërima në “Niko Dovana”, por Teuta është e pafat, nuk...

Spektakël dhe drithërima në “Niko Dovana”, por Teuta është e pafat, nuk arrin të marrë fitoren e merituar

Mbyllet pa fitues sfida e “Niko Dovanës” mes Teutës dhe Partizanit, rezultat që u shkon më shumë për shtat të kuqve, të cilët jo vetëm mbajnë pas me 6 pikë më pak “Djemtë e Detit”, por krijojnë një diferencë edhe më të thellë me Skënderbeun e vendin të dytë, që u kthye me humbje në Korça nga transferta me Kukësin.

1-1 përfundoi kjo superpërballje, që rezervoi emocione pa fund dhe drithërima deri në sekondat e fundit, pavarësisht reshjeve të dendura të shiut, që e rënduan terrenin duke frenuar ndoshta edhe spektaklin. Teuta e kishte përgatitur me shumë entuziazëm këtë takim, çka u kuptua nga një prani e madhe e tifozëve në stadium, që gjithsesi duhet të kenë mbetur të kënaqur nga shpirti i garës që shfaqën të besuarit e Bledi Shkëmbit.

“Djemtë e Detit” e nisën vrullshëm, duke shënuar që në minutën e 8-të me Gashin, pas një këndoreje që i kapi të shpërqendruar të kuqtë dhe portierin Hoxha.Reagimi i të kuqve u shpërblye vetëm në minutën e 60-të me Asanin, me një diagolane të zgjuar që mposhti Hidin. Nuk munguan momentet e tensionit, si përplasja mes Osmanit dhe Hilës, apo në momentin e ndërhyrjes së rëndë të elbasanasit.

Duhet theksuar se të dy “gardianët”, Hidi dhe Hoxha kanë shmangur gola të sigurt, duke i mbajtur të mbërthyer mes drithërimash tifozët deri në sekondat e fundit.