Ballina BOTA Spanjë, zbarkojnë mbi 300 emigrantë

Spanjë, zbarkojnë mbi 300 emigrantë

Në portin spanjoll të Algesiras zbarkuan të premten mbi 300 emigrantë të cilët ishin nisur nga Afrika e Veriut me synim Europën. Grupi i i madh i personave, ku nuk mungojnë minorenët dhe gratë shtatzëna, u pritën nga policë vendas dhe punonjës të shoqërisë bamirëse “Kryqi i Kuq”, për t’u ardhur atyre në ndihmë.

Spanja ka lejuar zbarkimin e qindra emigrantëve afrikanë në brigjet e saj.
Mbi 300 persona, mes të cilëve minorenë dhe gra shtatzëna, u transportuan të premten nga një anije spanjolle për qëllime humanitare, pasi më herët u ishte refuzuar zbritja në Itali dhe Maltë.

Emigrantët u shpëtuan në datën 21 dhjetor teksa po tentonin të përshkonin Detin Mesdhe me mjete lundruese të pasigurta.

Anija spanjolle e cila u erdhi në ndihmë emigrantëve nga Afrika e Veriut zotërohet nga një organizatë humanitare që operon kryesisht në hapësirën detare midis Libisë dhe Europës Jugore.

Operacionet e organizatës u ndërprenë përkohësisht prej muajit gusht, kur ajo akuzoi disa qeveri europiane se po kriminalizonin veprimtarinë e organizatave simotra.
Ankesa i referohej një deklarate të Ministrit të Brendshëm të Italisë, Mateo Salvini, se anijet me emigrantë nuk do të ankoroheshin në portet italiane pasi po vepronin si taksi për emigrantët.