Ballina Aktualitet SPAK, KLP-ja zgjat deri më 21 shkurt afatin për prokurorët

SPAK, KLP-ja zgjat deri më 21 shkurt afatin për prokurorët

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zgjatur deri më 21 shkurt, afatin e dorëzimit të aplikimeve për ngritjen e Strukturës së Posaçme për hetimin e Antikorrupsionit, e njohur si SPAK, për shkak të numrit të pakët të aplikantëve deri më tani, siç bëjnë të ditur burimet.

Afati fillestar ishte deri më 7 shkurt, por sot e kësaj dite kanë aplikuar 15 prokurorë, për 15 vendet që duhen plotësuar në strukturën antikorrupsion të SPAK-ut. Për këtë arsye, 10 anëtarë të KLP-së kanë votuar pro shtyrjes, ndërsa një kundër.

Në një mbledhje të 7 janarit, KLP-ja kishte vendosur të linte vetëm një muaj kohë për aplikimet e prokurorëve.

Edhe pse, siç thuhet, shumë prokurorë po stepen të garojnë për këtë strukturë të re, sepse familjarët e tyre nuk pranojnë të firmosin deklaratën ku jepet pëlqimi që ata të përgjohen, të vëzhgohen dhe t’u kontrollohet çdo lëvizje, ndërkombëtarët kanë bërë apel që prokurorët të marrin guximin e të aplikojnë.

Formulari i kontrollit është një nga kushtet e ligjit për SPAK-un, përmes të cilit i jepet “lamtumirë” privatësisë së çdo prokurori pjesëtar të kësaj strukture të re të Reformës në Drejtësi.

Ndërkohë, anëtarët e KLP-së, Alfred Balla, Kostaq Beluri dhe Antoneta Sevdari kanë propozuar rritjen e pagave për prokurorët e SPAK-ut, edhe më shumë sesa është në ligj, si një mënyrë motivimi për ta. Propozuesit kërkojnë që të rishikohet dhe të ripropozohet ligji për pagën e prokurorëve speciale, që do të hetojnë zyrtarët më të lartë të vendit për çështje korrupsioni.