Ballina LAJME Sonte finalja e Champions League, Tottenham sfidon Liverpool

Sonte finalja e Champions League, Tottenham sfidon Liverpool

Bota e futbollit mban frymën. Sonte në Madrid në stadiumin “Wanda Metropolitano” luhet finalja e madhe e këtij edicioni të Champions League e gjitha angleze mes Tottenham e Liverpool. Gjelat e Londrës i kanë humbur të dyja ndeshjet e kampionatit ndaj The reds dhe e kanë mbyllur sezonin 26 pikë pas Liverpool, por kjo nuk ka aspak rëndësi kur përpara është një finale e madhe.

Madridi është pushtuar nga qindra mijëra tifozë dhe atmosfera në stadium pritet të jetë fantastike. Tottenham luan për herë të parë në një finale Championsi dhe skuadra është gati . Kapiteni Harry Kane është stërvitur normalisht, por mbetet në dyshim. Pjesa tjetër e lojtarëve janë të gjithë në dispozicion të trajnerit Mauricio Pochettino.

”Duam të fitojmë Championsin për të shkruar historinë.Kemi bërë një rrugëtim të pabesueshëm dhe tashmë jemi të përqëndruar tek ndeshja. Jemi gati, jemi përgatitur mirë por duhet të vrapojmë shumë dhe ta shijojmë ndeshjen” e mbyll trajneri i Tottenham.

Finalja e dytë radhazi për Liverpool që do kërkojë të ngrejë Championsin e gjashtë në qiellin e Madrid-it. The Reds janë mëse gati dhe të karikuar mbi të gjitha pasi eliminuan Barcelonën me përmbysjen fantastike. Jurgen Klopp e ka grupin e plotë të futbollistëve,të gjithë janë gati përfshi edhe sulmuesin Firmino. Treshja e frikshme Mane-Salah e Firmino janë rreziku kryesor për Tottenham.  Klop e thotë qartë se nuk është humbës dhe se Liverpool luan për të fituar Championsin.

”Kam humbur 6 finale në karrierë, por nuk jam një humbës. E kaluara nuk ka rëndësi. Tottenhamin e kemi mundur dy herë këtë sezon por këtu është ndryshe” e mbyll Klop.

Drejtësi në finalen e Champions që starton në orën 21:00 do të vendos slloveni Damir Skomina dhe pritet një spektakël i vërtetë.