Skandal në policinë e Tiranës/ Inspektorja ndihmon vjehrrën e nënkomisarit, tutore prostitutash

63

Një skandal i vërtetë ka ndodhur në policinë e Tiranës.

SHÇBA ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka vendosur masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësit e policisë: nënkomisar F.M., 29 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë dhe inspektore O.K., 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandimit në D.V.P. Tiranë.

Burime policore bënë me dije se ekzekutimi i vendimit të Gjykatës u krye në funksion të procedimit të kryer nga SHÇBA Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Tiranë, me hetime proaktive disa mujore, për akuzat “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrim i prostitucionit”.

Në kuadër të këtij hetimi u procedua penalisht edhe shtetasja S.K, 53 vjeçe, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj në qytetin e Memaliajt, u gjetën 2 armë gjahu gjysëmautomatike, sasi fishekësh, që mbaheshin pa leje.

Gjithashtu, shtetasve të mësipërm iu sekuestruan edhe 4 telefona celularë në interes të thellimit të hetimeve për veprat penale të sipërcituara.

Nga hetimet e SHÇBA Tiranë ka rezultuar se oficeri i policisë F.M., duke shpërdoruar detyrën, ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh.

Gjithashtu, dyshohet se në lokalin e vjehrrës së tij, shtetases S.K. ushtrohej prostitucion, por oficerja e Sallës Operative informonte 53-vjeçaren për aksionet që organizonte Policia.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.