Situata e Koronavirus/6 farmaci dhe 7 tregtarë fruta perimesh akuzohen për shkelje

85

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë po kryen kontrolle të vazhdueshme për të garantuar se farmacitë dhe çdo tregtar tjetër nuk do të abuzojë me çmimet në këtë situatë të vështirë.

Nga dje është në dispozicion numri i gjelbër pa pagesë 0800 14 14, ku të gjithë mund të bëjnë denoncime të këtyre fakteve. Administrata Tatimore po ndjek nga afër zhvillimet e fundit, sidomos funksionimin e tregtisë.

“Është koha që të gjithë të bashkëpunojmë dhe solidarizohemi për të përballuar këtë situatë të vështirë, jo për të abuzuar. Falenderojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunimin e deritanishëm, ku vetëm sot janë regjistruar 75 denoncime. Në vijim të tyre DPT ka verifikuar 13 raste me shkelje të legjislacionit tatimor, nga të cilat 6 farmaci dhe 7 njësi tregtare fruta-perime. Gjatë verifikimeve janë evidentuar çmimet e shitjeve dhe të blerjeve, duke i kaluar për ndjekje të mëtejshme të organeve kompetente në rast rritjesh artificiale të tyre”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë që nga nesër në qytetet kryesore të vendit do të jenë në terren Task Forca, me prezencën e Tatimeve, Policisë, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe AKU-së.

Inkurajojmë të gjithë qytetarët të vijojnë denoncimin e rasteve abuzive dhe këshillojmë, që asnjëri të mos largohet nga njësitë tregtare pa marrë kuponin tatimor dhe të sigurohet që përshkrimi në kuponin tatimor është i njëjtë me mallin e marrë.

Të gjithë bashkë, për t’i thënë jo abuzimit.-shkruhet në njoftim.