Ballina BOTA Siri, forcat turke fillojnë bombardimet, nis krijimi i zonës së sigurisë

Siri, forcat turke fillojnë bombardimet, nis krijimi i zonës së sigurisë

Forcat turke kanë nisur sulmet ajrore dhe tokësore në territorin e Sirisë me qëllimin për të krijuar dhe kontrolluar një brez me gjerësi 30 kilometra përgjatë kufirit mes dy vendeve. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi dje largimin e forcave amerikane nga kufiri, duke i hapur kështu rrugën ndërhyrjes turke.

Sipas njoftimeve nga Ankaraja, brezi i sigurisë do të shërbejë për strehimin e miliona refugjatëve sirianë, të cilët janë shpërngulur nga lufta civile, dhe për izolimin e ish-luftëtarëve të Shtetit Islamik.

Pavarësisht ndonjë deklarate që nxit Turqinë për të treguar kujdes gjatë operacionit të saj ushatarak, të gjitha vendet janë dakordësuar në heshtje për këtë iniciativë. Mijëra ish-luftëtarë të Shtetit Islamik vijnë pikërisht nga vendet evropiane dhe asnjë prej tyre nuk ka dëshirë t’i mirëpresë ata. Njëkohësisht, asnjë prej vendeve evropiane nuk ka dëshirë të përballet me valë të tjera refugjatësh.

Megjithatë, miratimi i Uashingtonit për ndërhyren turke ka sjellë reagime të forta nga komuniteti kurd në Siri dhe Irak. Sipas kurdëve, brezi i sigurisë që Ankaraja synon të krijojë në Siri ka për qëllim pikërisht shpërbërjen e milicive të armatosura kurde dhe parandalimin e bashkimit të tyre me kurdët në Turqi.