Ballina Aktualitet Si u zbulua nga përgjimet grupi që shiste kanabis çokollatë, u kapën...

Si u zbulua nga përgjimet grupi që shiste kanabis çokollatë, u kapën kur…

Trafiku i kanabisit në vendin tonë duket se ka përparuar në një tjetër nivel, duke kaluar nga bima te shitja e lëndës narkotike në formën e çokollatës.

Trafikantët tani kanë kaluar në një stad tjetër, duke e përpunuar kanabisin me qëllim për të ulur volumin. Pesë persona u arrestuan në flagrancë dhe u bllokua 21 kilogramë lëndë narkotike në formë çokollate (cannabis sativa) nga një aksion policor i koduar “Vazhdimësia”, i ndërmarrë nga Policia e Durrësit dhe që u zhvillua në qytetin e Lushnjës.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas një hetimi disamujor finalizoi me sukses operacionin policor, duke vënë në pranga A.Ç. 53 vjeç, G.K. 38 vjeç, I.K. 50 vjeç, R.K. 25 vjeç, L.Y. 47 vjeç, banues në Lushnje.

Këta persona gjatë operacionit u kapën në flagrancë pranë stacionit të trenit Lushnjë, me një sasi prej 21 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike në formë çokollate (cannabais sativa), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me dy automjete dhe një sasi parash. Ndërkohë, nga ana tjetër vijon hetimi për dokumentimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve për veprën penale të “Prodhim shitje të narkotikëve, kryer në bashkëpunim”. Burime nga grupi hetimor thanë se grupi kriminal po mbahej prej një kohe të gjatë nën vëzhgim nga agjentët e Sektorit të Antidrogës. Po të njëjtat burime theksojnë se tashmë trafikantët po gjejnë mënyra të reja për të ushtruar aktivitetin e tyre kriminal.

Sipas këtyre burimeve, e gjithë kjo sasi kanabis çokollatë që u bllokua nga Policia e Durrësit, ka ngritur dyshime të forta për një sofistikim të trafikut të drogës. Kjo, pasi lënda narkotike çokollatë, është një drogë më e shtrenjtë dhe më e përpunuar.