Ballina Kronikë Si u torturua dhe vra në Spanjë babai i dy fëmijëve, iu...

Si u torturua dhe vra në Spanjë babai i dy fëmijëve, iu pre gishti e veshi, iu hoqën thonjtë

Mediat spanjolle kanë publikuar dje detaje tronditëse në lidhje me vrasjen e një shtetasi shqiptar, që u gjet i masakruar pasditen e së mërkurës pranë shtratit të lumit Guadalentin, në Totana.

Viktima tashmë është identifikuar nga Policia spanjolle. Ai është Ded Dokaj, 44 vjeç, nga Puka, baba i dy fëmijëve. Ndërsa mediat spanjolle kanë publikuar edhe një foto të tij. Sipas gazetarëve vendës, pas përfundimit të autopsisë në trupin e të ndjerit, është zbuluar se ndaj 44-vjeçarit është ushtruar torturë brutale nga disa persona.

Ata i kanë prerë gishtin e njërës dorë, i kanë shkulur thonjtë e këmbëve, si dhe i kanë prerë një pjesë të veshit. Të dhënat e para të Gardës Civile thonë se vrasja e ndodhur në shtratin e lumit Guadalentin, në Totana, është e tipit mafioz dhe mbase ka ndodhur për larje hesapesh. Vrasja me një plumb në kokë i çon hetuesit të mendojnë se bëhet fjalë për një vrasje gjakftohtë nga profesionistë.

Hetuesit dyshojnë se viktima mund të jetë torturuar në mënyrë të tmerrshme për orë të tëra në një shtëpi të vetmuar dhe është e mundur që vendi ku u gjet në shtrat të lumit, është vetëm një zonë e zgjedhur për të hequr qafe trupin dhe automjetin, me të cilin ishte zhvendosur.

Ded Dokaj ishte denoncuar i zhdukur ditën e hënë më 25 mars, 3 ditë pasi kishte festuar ditëlindjen me bashkëshorten, dy fëmijët, si dhe disa të afërm të tij, që jetojnë po ashtu në Spanjë. Dokaj, me origjinë nga fshati Kimëz i Pukës, ishte baba i dy fëmijëve dhe jetonte prej 20 vitesh në zonën e Mazarron të Spanjës, madje edhe fëmijët e tij kishin lindur atje. Viktima nuk rezulton të ketë asnjë precedent penal në vendin tonë, ndërsa në Spanjë mësohet se punonte si truprojë në lokale nate me muzikë. Sipas mediave spanjolle, një konflikt i mundshëm në punë mund të jetë një nga shkaqet e vrasjes. Megjithatë, të gjitha pistat e autoriteteve spanjolle janë të hapura dhe ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete.