Shtohen rastet në Itali, rajoni i Kampanjas rikthen masat shtrënguese, mbyllen institucionet arsimore

51

Shtimi i ndjeshëm i rasteve me koronavirus në ditët e fundit ka bërë që një nga rajonet më të goditura të Italisë, ai i Kampanjës të rikthejë masat shtrënguese për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.

Presidenti i rajonit, Vicenzo de Luca, i detyruar dhe nga shifrat e infektimeve, vendosi të mbyllë deri më 30 tetor të gjithë aktivitetin shkollor në Kampanja.

Kështu sipas kësaj mase do të ndalohet mësimi në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme deri në fund të muajit, pezullohen gjithashtu aktivitetet didaktike dhe mësimi do të kalojë online.

Në urdhrin e ri të presidentit të rajonit përfshihet gjithashtu dhe ndalimi i festave, ceremonitë fetare në vende publike të hapura e të mbyllura dhe grumbullimet në banesa.

Rastet me koronavirus janë rritur shumë ditët e fundit në Itali duke kapërcyer shifrat e pikut të marsit. Të enjten u regjistruan 8804 të prekur dhe 83 të vdekur. Në spitale gjenden 5796 të shtruar ku 586 janë nën terapi intensive. Aktualisht janë gati 100 mijë të infektuar aktivë.