Shtetrrethim duke nisur nga sot, ja masat anti-COVID dhe për sa kohë do të jenë në fuqi

79

Nga dita e sotme, Shqipëria do të mbyllet nga ora 20:00, deri në orën 06:00, për 14 ditë.

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi gjithashtu që të mos lejojë as baret dhe restorantet të punojnë pas këtij orari.

Për të minimizuar rrezikun e përhapjes së koronavirusit, edhe gjimnazet në disa qytete do e zhvillojnë mësimin ‘online’ deri në 26 shkurt.

Masat e reja anti COVID

1.Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

2.Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

3.Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.

4.Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet anti COVID,

Gjoba dhe shqetësimi i specialistëve

Policia ka bërë me dije se sot nuk do të ketë më këshillime nga grupet e inspektorëve në terren, por do të nisin gjobat për të gjitha institucionet e bizneset që nuk zbatojnë protokollet anti-COVID.

Lidhur me situatën e COVID-19, në 24 orët e kaluara, janë shënuar sërish një numër i lartë rastesh të reja dhe fatalitetesh.

Nga rreth 4.100 testime të kryera, kanë rezultuar të infektuar 1.143 persona. Ndërkohë që në pamundësi për të fituar këtë betejë, kanë ndërruar jetë 15 pacientë.

E pyetur mbi variantet e reja të COVID-19, shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, tha se ka dyshime se në vend kanë hyrë të dyja mutacionet e Covid-19, si ai i Mbretërisë së Bashkuar, ashtu edhe ai i Afrikës së Jugut.

Ndërsa shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, duke theksuar se po infektohen dhe humbasin jetën nga Covid edhe mosha të reja, bëri apel për popullatën që të respektojë masat anti-Covid në mënyrë strikte.