Ballina Aktualitet Shqipëtarët tashmë drejt sëmundjeve, depresionit dhe kequshqyerjes

Shqipëtarët tashmë drejt sëmundjeve, depresionit dhe kequshqyerjes

Periudha e tranzicionit ka ndikuar negativisht te shëndeti i popullatës shqipëtare për disa sëmundje si kanceri, ato kardiovaskulare dhe shëndeti mendor, prevalencat e të cilave po rriten vit pas viti, për shkak të regjimeve ushqimore të gabuara, mungesës së aktivitetit fizik dhe urbanizimit me shpejtësi të vendit.

Në dhjetë vitet e fundit, shëndeti i shqiptarëve dhe stili i jetesës është përkeqësuar në drejtim të sëmundjeve jo të transmetueshme. Janë rritur prevalencat e obezitetit, hipertensionit, diabetit, kancerit etj. Një anketë e udhëhequr nga Instituti i Shëndetit Publik dhe INSTAT te 15,800 persona në vitin 2018 gjeti se shqiptarët vuajnë rëndë nga shëndeti mendor. Gati 60- 70% e të anketuarve kishin kaluar një përvojë depresioni dy javë para anketës, teksa 18% e grave dhe 13 % burrave ishin në depresion gjithë kohës. Vitin e kaluar, 1 në 5 femra dhe 1 në 6 meshkuj të moshës 15-59 vjeç raportuan se ishin diagnostikuar me të paktën një sëmundje jo të transmetueshme (kardiovaskulare, neoplazma, diabeti etj.)

Vitin e kaluar, 1 në 5 femra dhe 1 në 6 meshkuj të moshës 15-59 vjeç raportuan se ishin diagnostikuar me të paktën një sëmundje jo të transmetueshme (hipertensioni, neoplazma, diabeti e etj), sipas gjetjeve të anketës të përbashkët të Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT për “Demografinë dhe Shëndetin” të zhvilluar në vitin 2018 te 15800 persona. Studimi i thelluar mbi gjendjen shëndetësore të popullatës evidentoi se sëmundshmëria në vendin tonë është e nëndiagnostikuar sidomos për sëmundjet kardiovaskulare dhe depresionin.

Prevalenca e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit në vend është duke u rritur. Në vitin 2017 ato ishin përgjegjëse për 70% të vdekjeve në vend sipas të dhënave zyrtare, ndërsa në vitin 2008, këto sëmundje ishin përgjegjëse për 52% të jetëve të humbura.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik pohojnë se, sfida e kohës është të zvogëlohen faktorët e rrezikut që lidhen kryesisht me ushqyerjen, dietën dhe aktivitetin fizik, duke u kushtuar vëmendje të veçantë vajzave dhe grave, teksa është vënë re rënie e lehtë e konsumit të duhanit dhe alkoolit. Studimi për shëndetin e popullatës evidentoi se shqiptarët nuk janë konsumatorë të rregullt të frutave dhe perimeve dhe nuk ushtrojnë aktivitet fizik.

HIPERTENSIONI NË RRITJE, ËSHTË I NËNDIAGNOSTIKUAR

Nga 2008 më 2018, prevalenca e hipertensionit të matur u rrit nga 20% në 24% në mesin e femrave të moshës 15-49 vjeç dhe nga 28% në 38% tek meshkujt në të njëjtën grupmoshë. Hipertensioni është shkaktari kryesor për sëmundjet e zemrës, gjithashtu dëmton trurin, duke shkaktuar vdekje ose dëmtim të përhershëm fizik.

VETËVLERËSIMI, 62% E GRAVE DHE 68% E BURRAVE NDIHEN MIRË

Vetëvlerësimi i një individi për statusin e tij shëndetësor ka të ngjarë të jetë i pasaktë në shumë raste, por disa studime kanë treguar se vetëperceptimi i shëndetit mund të jetë një parashikues i rëndësishëm i vdekshmërisë për të moshuarit. Studimet kanë treguar se njerëzit që e perceptojnë shëndetin e tyre si të varfër kanë gjasa të kenë rezultate më pak të favorshme shëndetësore, sesa ata që e perceptojnë shëndetin e tyre si të mirë. Në anketën e 2018-s, shumica e grave dhe burrave të moshës 15-59 perceptojnë se nuk ka pasur ndonjë ndryshim në shëndetin e tyre gjatë 12 muajve para studimit (përkatësisht 62.3% dhe 68%).

70% E SHQIPTARËVE KANË KALUAR PËRVOJË DEPRESIONI

Depresioni është një gjendje komplekse mendore dhe emocionale, e lidhur zakonisht me të qenët i trishtuar, humor të keq që ndikon për keq te produktiviteti mendor dhe lëvizjet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përqindja e popullsisë globale me depresion vlerësohet të jetë 4.4%. Ky proporcion ndryshon sipas gjinisë dhe moshës.

Megjithatë ekspertët kanë vënë re re se çrregullimi i depresionit është nënraportuar për shkak të stigmës të lidhur me këtë gjendje.

Rreth 70 për qind anketuarve gra dhe 57% e burrave pohuan se kanë kaluar një përvojë depresioni gjatë dy javëve para studimit. Nga këto 13% e grave dhe 18 meshkujve të moshës 15-59 vjeç ishin shumë depresiv dy javë para sondazhit.

Dy vitet e fundit, shqiptarët janë populli që kanë emigruar më shumë në Europë, pas vendeve të Lindjes së Mesme që janë në luftë si Siria. Nga viti 2015 deri më 2017, kanë kërkuar azil në vendet e BE-së rreth 200 mijë shqiptarë. Mjekët shpjegojnë se emigracioni është treguesi më i qartë se vendi është duke kaluar një situatë jo të mirë psikologjike. Psikiatrja Arjana Rreli, pohon se faktori ekonomik, përveç predispozitës biologjike, është ndër më kryesorët që krijon depresion.

FAKTORËT E RREZIKUT, FRENOHET KONSUMI I CIGAREVE DHE ALKOOLIT

Konsumi i cigareve është burimi kryesor i sëmundjeve të parandalueshme dhe vdekshmërisë së parakohshme. Kanceri i mushkërive është një prej shkaqeve kryesore të vdekjes nga kanceri dhe shkaktohet nga pirja e duhanit.

Duhanpirësit gjithashtu janë më të ekspozuar nga lloje të tjera të kancerit si ai i faringut, laringut, ezofagut, pankreasit, veshkave dhe fshikëzës. Pirja e duhanit është ndikon gjithashtu te sëmundjet kardiovaskulare. Anketa gjeti se 36% e meshkujve të moshës 15-49 vjeç pinin duhan, në raport me 43% që ishte duhanpirja në këtë grupmoshë në vitin 2008.
Gjetjet treguan se duhanpirja tek femrat është rritur me 1% në dekadën e fundit. Studimi evidentoi se 5% e femrave të moshës 15-49 vjeç ishin duhanpirëse.

STILI I JETËS, RRETH 80% E SHQIPTARËVE NUK BËJNË AKTIVITET FIZIK

Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për shkak të mirëfunksionimit të zemrës, si dhe të gjithë trupit. Ushtrimet fizike gjithashtu janë me shumë dobi edhe për shëndetin mendor. Për të vlerësuar nivelet e ushtrimit aerobik në një javë tipike, të anketuarit u pyetën nëse bënin aktivitete si ecja, çiklizmi, lojëra etj., në një javë të zakonshme.

Në përgjithësi, 12% e femrave të moshës 15-49 vjeç raportojnë se bëjnë një lloj forme të stërvitjes aerobike 5 deri në 7 ditë të javës, 4% i bëjnë këto ushtrime 3 ose 4 herë në javë, 3% i bëjnë ato 1 ose 2 herë në javë dhe 82% nuk bëjnë ushtrime aerobike asnjë ditë.

Ndër meshkujt në të njëjtën moshë, 11% ushtrojnë 5-7 herë në javë aktivitet fizik, 7% ushtrojnë 1 deri në 4 herë në javë, dhe 76% nuk bëjnë asnjë lloj ushtrimi aerobik. Praktika e ushtrimeve aerobike ndryshon në mënyrë të konsiderueshme sipas prefekturave. Proporcioni e grave që ushtrojnë 5-7 ditë në javë është 19% në Tiranë, krahasuar me 3% në Durrës dhe 2% në Shkodër. Teksa arsimi shihet të ketë ndikim në këtë drejtim pasi 13% e femrave me universitet angazhohen në stërvitje aerobike 5-7 ditë në javë. Në mënyrë të ngjashme, 14% e meshkujve me arsim të lartë ushtrojnë aktivitet fizik rregullisht për 7 ditë të javës.