Ballina Aktualitet Shqipëria voton, por ndoshta nuk zgjedh

Shqipëria voton, por ndoshta nuk zgjedh

Në të gjithë vendin, shumica e qendrave të votimit janë hapur për të pritur qytetarët, që sot do të vendosin të hedhin votën e tyre në kuti, ndonëse është e paqartë se çfarë vlere do të ketë ajo votë.

Mediat e ndryshme raportojnë se mëngjesi ka qenë i qetë dhe pa incidente.

30 qershori duhet të ishte data e zhvillimit të zgjedhjeve vendore, por kriza politike detyroi Presidentin e Republikës që të dekretojë anulimin e tyre. Mazhoranca, me në krye kryeministrin Edi Rama, nuk e ka njohur dekretin e anulimit të zgjedhjeve vendore dhe vendosi të ecë përpara me organizimin e tyre.

Opozita vendosi të mos marrë pjesë në këtë proces të zgjedhjeve vendore, duke mos u regjistruar në garë si forca politike, duke mos prezantuar kandidatë, madje duke mos u bërë pjesë as edhe e administrimit të zgjedhjeve. Fillimisht, vendimi i opozitës u mbështet tek faktet e publikuara në media se zgjedhjet e kaluara ishin blerë dhe manipuluar nga mazhoranca dhe kryeministri Rama në bashkëpunim me grupet kriminale. Ndërkohë, pas anulimit të zgjedhjeve vendore nga Presidenti i Republikës, arsyeja e bojkotit të opozitës u bë pikërisht dekreti presidencial.

Pas zhvillimeve të fundit nga Presidenti i Republikës, i cili dekretoi 13 tetorin si data e re e zgjedhjeve vendore, komuniteti ndërkombëtar u kujdes të mos bënte gabime me gjuhën e përdorur. Togfjalëshi “zgjedhje vendore” nuk gjendet më në komunikimet e tyre, duke u zëvendësuar me fjalën “votime”. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të mund të shprehej për opinionet e ndryshme rreth dekreteve presidenciale, ka bërë që situata të dalë jashtë kontrollit. Ministri i jashtëm hungarez, në vizitën e tij të para disa ditëve në Tiranë, teksa theksoi se “BE nuk ka autoritet për të njohur ose jo zgjedhjet shqiptare”, la të nënkuptohej se konflikti juridik mes institucioneve shqiptare duhet të zgjedhej po nga shqiptarët.