Ballina Aktualitet Shqipëria, me standard të ri në drejtësi

Shqipëria, me standard të ri në drejtësi

Ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj priti në një takim të dërguarit e Komisionit të Venecias, Veronika Bilkova, ish-zëvendëspresidente e Komisionit të Venecias; Jørgen Steen Sørensen, anëtar i Komisionit të Venecias; James Hamilton, ish-anëtar zëvendësues i Komisionit të Venecias; Artemiza-Tatiana Chiska, nga Sekretariati i Komisionit të Venecias.

Ministrja vlerësoi rolin e Komisionit të Venecias si një partner shumë i rëndësishëm që ka kontribuar dhe bashkëpunuar efektivisht në shumë procese të rëndësishme për Shqipërinë dhe sidomos për reformën në drejtësi. Gjatë takimit, ministrja Gjonaj iu përgjigj interesimit të tyre lidhur me projekt-propozimin e Partisë Demokratike për Vetingun e politikanëve, duke vënë theksin tek ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat do të bëjnë pastrimin e politikës nga zyrtarë të inkriminuar apo të korruptuar.

Ministrja e drejtësisë u shpreh se tashmë është vendosur një standard i ri me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 për reformën në drejtësi, duke iu nënshtruar më parë një procesi konsultimi me konstitucionalistë, ekspertë dhe shoqërinë civile, standard i cili duhet të ruhet në çdo rast të ndryshimeve kushtetuese.