Shqipëria i ruhet gripit të shpendëve, bllokon importin e mishit nga disa vende

18

Shqipëria ka vendosur të ndalojë importin e shpendëve nga një pjesë e vendeve të rajonit ballkanik dhe më gjerë në Evropë.

Kjo për të ndalur rrezikun e përhapjes së gripit të shpendëve.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, ka firmosur një urdhër i cili ndalon hyrjen e shpendëve të gjallë, mishit dhe vezëve të tyre në territorin tonë nga rajonet e Greqisë, e po ashtu ka bllokuar tërësisht importin nga Kosova.

Zyrtarët e ministrisë së Bujqësisë janë shprehur se në Shqipëri nuk ka deri tani asnjë rast me influencën të llojit A1 të shpendëve.

Më herët Ministria e Bujqësisë ndaloi importin e shpendëve dhe mishit të tyre nga Çekia, Hungaria, Gjermania, Polonia, Sllovakia, Ukraina, Bullgaria, Rumania, Belgjika, Kroacia, Danimarka, Franca, Holanda, Lituania dhe Izraeli.

Ashtu siç është parë prej vitesh, virusi i gripit të shpendëve mund të transmetohet te njeriu dhe të shkaktojë komplikacione të rënda shëndetësore.