Shqipëria do të çelë në 15 qershor sezonin turistik, harta e qendrave shëndetësore në bregdet

146

Sezoni turistik veror në Shqipëri do të hapet më 15 qershor edhe pse maji vijon të jetë muaj i përshtatshëm për pushime në bregdet. Po në atë datë do të hapen qendrat shëndetësore verore.

Për të bërë gati subjektet turistike, qeveria ka nisur vaksinimin e punonjësve të tyre. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur sot procesin e vaksinimit të operatorëve turistikë në qendrën shëndetësore “Uji i ftohtë” në Vlorë, ku shpalli planin e shëndetësisë për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Ajo tha se situata aktualisht është e kontrolluar dhe do të vijohet intensivisht me procesin e vaksinimit, për të patur një sezon turistik më të lehtësuar.

Kurse shtoi: “Por një gjë është e sigurt, që duhet të vijojmë të zbatojmë protokollet shëndetësore, protokollet e sigurisë, për të mundësuar që të mos kemi përhapje të koronavirusit”.

Më datë 15 qershor, përveçse do të hapen qendrat shëndetësore verore, do të bëhet dhe dezinsektimi në zonat e përcaktuara nga ekspertët e shëndetit publik.

Duke u ndalur te ndihma mjekësore, Manastirliu tha se do të jenë 28 qendra shëndetësore verore, me staf të kualifikuar.

Kurse më tej publikoi hartën e dezinfektimit. Deri tani janë kryer trajtimet e para në zonën e Kavajës, plazhi Golem –Qerret, plazhin e Spillesë, në Divjakë qytet dhe plazhin e Divjakës, në zonën e Vlorës, plazhin e Nartës, Zvërnecit, Rradhimë, Lagunën e Orikumit, Himarë, Qeparo, Borsh, Çukë, Parkun Kombëtar të Butrintit dhe do vijojë trajtimi në zonën e Tiranës, Durrësit, Lezhës, Velipojës, etj.