Ballina Aktualitet Shqipëri-Kosovë, marrëveshje për kontrollin e përbashkët kufitar

Shqipëri-Kosovë, marrëveshje për kontrollin e përbashkët kufitar

Dy Ministrat e Brendshëm të Shqipërisë dhe të Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje për e ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj tha se ky është hapi i parë drejt finalizimit të heqjes së plotë të kontrolleve në kufi.

Kjo marrëveshje do të thotë që shtetasit, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet përkatëse përgjegjëse, vetëm një herë, bazuar në parimin “Një ndalesë, një kontroll”.

“Për mua është një kënaqësi që të nënshkruajmë një marrëveshje shumë të rëndësishme. Së pari ju përcjell përshëndetjet e kryeministrit Rama që tha do të vijë vetëm kur të hiqen plotësisht kontrollet. 

Me këtë marrëveshje ulim 50% kohën e pritjes dhe sigurisht objektivi është për ta çuar në zero kohën e pritjes. Pra, ne po punojmë për të eliminuar plotësisht kontrollin drejt kufijve të përbashkët. Ky është një hap për lirinë e lëvizjes. 

Çdo hap të rritjes së lirisë së lëvizjes ta shoqërojmë edhe me rritjen e sigurisë. 

 Ne po punojmë intensivisht për të krijuar të gjitha mekanizmat e duhur për lirinë e plotë të lëvizjes. Hapi tjetër është nënshkrimi i një marrëveshje midis dy qeverive për eliminin e plotë të kontrolleve. Është një hap drejt vendosjes së standardeve të mirëfillta si në të gjithë kufijtë e Evropës,” – shtoi më tej Lleshaj.