Shkojnë për të grabitur, 15 vjeçarët plagosen me armë gjahu

125

Katër 15-vjeçarë janë arrestuar si autorë të një vjedhjeje të ndodhur në fshatin Helshan të Hasit, si dhe të një vjedhjeje tjetër të mbetur në tentativë më 1 shkurt.

Tentativa e fundit për të grabitur, ka përfunduar keq për të rinjtë, të cilët janë qëlluar me armë gjahu, nga pronari i objektit. Arma ka plagosur dy prej tyre.

Të arrestuarit janë identifikuar me inicialet R. M., L. M., O. V. dhe E. V., të moshës 15 vjeç, banues në fshatin Peraj, Helshan dhe Krumë.

“Gjatë tentativës për të vjedhur në këtë dyqan, autorët janë konstatuar nga pronari, shtetasi S. Sh., i cili ka qëlluar me armë gjahu, duke plagosur shtetasit L. M. dhe R. M., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën” – njofton policia e Kukësit.

Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këta shtetas janë autorë edhe të një vjedhjeje të ndodhur në fshatin Helshan, konkretisht: më datë 30.01.2021, ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit U.I.

Po ashtu, policia ka arrestuar edhe pronarin e dyqanit, Sadri Shatri, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

“Gjatë operacionit të koduar “Hleshani”, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: automjeti i markës “Volkswagen” i përdorur nga autorët, 4 aparate celularë, një armë gjahu çifte në pronësi të shtetasit S.Sh., si dhe një karikator me 27 fishekë”, – vijon policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.