Shkodër, shkrihen strukturat drejtuese vendore të Partisë Socialiste

50

Partia Socialiste ka mbledhur strukturat drejtuese të degës së saj në Shkodër, ku ka njoftuar nismën për shkrirjen dhe ristrukturimin e plotë të tyre. Njoftimi është dhënë nga deputeti Arben Pëllumbi, i deleguari nga Kryesia e Partisë Socialiste për të koordinuar procesin e rindërtimit të kësaj force politike në Shkodër.

“Me vendim të Kryesisë së Partisë Socialiste është shkrirë struktura drejtuese e Partisë Socialiste në Shkodër, – ka njoftuar deputeti Pëllimbi. – Në Shkodër, meqenëse nuk i kemi këto struktura, sot kemi këtë grup nismëtar koordinatorësh dhe stafet që ata kanë zgjedhur pikërisht për të menaxhuar të gjithë kalendarin e zgjedhjeve në Partinë Socialiste.”

Në fakt, Partia Socialiste, në të gjithë vendin, është përfshirë në procesin e ristrukturimit bazuar në ndarjen e re territoriale. Ky proces shihet si përgatitje për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021. Por, në Shkodër, ky proces do të jetë i ndryshëm, pasi, praktikisht, strukturat drejtuese nuk ekzistojnë më dhe ato duhen zgjedhur nga e para.