Ballina Aktualitet Shkodër, operacion blic i Policisë së Shtetit, noterë e policë mes të...

Shkodër, operacion blic i Policisë së Shtetit, noterë e policë mes të ndaluarve

Mes të ndaluarve, gjatë operacionit blic të Policisë së Shtetit në Shkodër, në orët e para të mëngjesit të sotëm, janë edhe noterë dhe policë. Të ndaluarit janë vënë nën akuzën e dhënies dhe marrjes së parave me fajde. Në operacion kanë marrë pjesë edhe efektivë të forcave speciale policore, si RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Burimet zyrtare policore, pas përmbylljes së operacionit, bëjnë të ditur se hetimet kishin treguar se personat e ndaluar ishin përfshirë në skema të paligjshme të dhënies hua të shumave të ndryshme me interesa shumë të larta, që variojnë nga 3% deri në 20% në javë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe 238 600 euro, 272 400 dollarë, 414 000 lekë, 510 paund, 20 automjete të ndryshme, dy armë të ndryshme, pesë kompjutera, 50 telefona celularë etj.