Ballina Aktualitet Shkodër, lagështira mbulon muzeun “Oso Kuka”, nevojë për rikonstruksion

Shkodër, lagështira mbulon muzeun “Oso Kuka”, nevojë për rikonstruksion

Ky muze përdoret për shumë aktivitete historike dhe kulturore ndërsa në këtë 106 vjetor të Pavarësisë për fat të keq godina vijon të mbetet një shqetësim në këtë muze, edhe pse me gjithë ndërhyrjet e pjesshme, ka nevojë për një rikonstruksion total.
Muret e godinës aktuale kanё pёsuar çarje dhe lagёshtira ka depërtuar nё brendësi. Shkak ёshtё bёrё mos rikonstruksioni prej mёse 2 dekadash. Drejtori i muzeut Fatmir Juka thotë se ka ardhur koha për një muze të ri në Shkodër i ngjashëm me Marubin.

Në dijeni tashmë është edhe Ministria e Kulturës e cila mesa duket ende nuk ka dhënë shpresa reale përtej diskutimeve ndër vite për konkretizimin e projektit në mënyrë që kjo godinë të pësojë një restaurim rrënjësor. Muzeu historik “Oso Kuka”, mbart pasuri të një historie mijëvjeçare, të vendosur në pavionet arkeologjike, etnografike si dhe në arkivin e bibliotekës, ku gjenden 20 mijë artikuj që mbulojnë pothuajse të gjitha fushat e albanologjisë, por nuk mungon edhe literatura e autorëve shqiptarë e të huaj.