Ballina Aktualitet Shkodër, ish-deputeti demokrat Spahia lihet në arrest shtëpie

Shkodër, ish-deputeti demokrat Spahia lihet në arrest shtëpie

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur të lërë në arrest shtëpie ish-deputetin demokrat Bardh Spahia, i akuzuar për ngjarje e ndodhura tri ditë më parë në mjediset e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve në Shkodër.

Në kohën që zhvillohej seanca gjyqësore e vlerësimit të masës së sigurisë për ish-deputetin e ndaluar, jashtë Gjykatës së Shkallës së Parë ishin mbledhur me qindra mbështetës e simpatizantë të Partisë Demokratike dhe to forcave të tjera opozitare.

Me nisjen e seancës, ish-deputetit Spahia i janë komunikuar akuzat e kundërshtimit të punonjësit të Policisë së Shtetit dhe dëmtimit me dashje të materialit zgjedhor. Prokuroria e Shkodrës ka deklaruar se disponon prova e pamje filmike që tregojnë se ish-deputeti Spahia ka qenë aktiv gjatë përplasjeve në KZAZ dhe nuk i është bindur urdhrit të Policisë së Shtetit.

Në përgjigjen e tij, ish-deputeti demokrat ka deklaruar se “veprimet e arrestimit tim kanë prapaskenë politike.” “Mendoj që gjykata duhet ta shohë dhe vlerësojë siç duhet dhe bazuar në ligj,” – ka thënë Spahia.

Në fund, trupi gjykues vendosi që masa e sigurisë të jetë ajo e arrestit në shtëpi.