Ballina Aktualitet Shkodër, 100-vjetori i Vllaznisë, presidenti Meta nderon ish-sportistë e trajnerë

Shkodër, 100-vjetori i Vllaznisë, presidenti Meta nderon ish-sportistë e trajnerë

Në 100-vjetorin e themelimit të Klubit “Vllaznia”, në një ceremoni të organizuar në mjediset e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, presidenti Ilir Meta nderoi disa prej sportistëve dhe trajnerëve në vite në disiplina të ndryshme sportive.

“Bashkimi i shkodranëve në Shoqërinë “Vllaznia” pa dallim përkatësie fetare, bindje e ideje është ndër mesazhet e mëdha të pasurisë të pashterur shpirtërore dhe aspiratës shqiptare për ndërtimin e një shoqërie të bashkuar e të përparuar, – tha presidenti Meta në mesazhin e tij. – “Vllaznia” do kujtohet si klubi i parë sportiv, për fanellën kuqeblu, si shkolla më e madhe e lindjes së talenteve sportivë dhe si klubi me tifozerinë më të zjarrtë, por dhe më të kulturuar njëkohësisht, si tifozeria e vetme në Shqipëri që duartrokiste kundërshtarin kur luante më mirë.”

Presidenti i akordoi mjeshtrit Sabah Bizi titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, ndërkohë që me titullin “Mjeshtër i Madh” u nderuan Agim Tafili, Arbana Xhani (Bekteshi), Asim Belinovi, Astrit Hafizi, Ramadan Rragami, Xhevdet Shaqiri, Edi Martini, Fatbardh Jera, Hysen Zmijani, Vioresin Sinani, Hysni Bebeziqi, Luigjino Mjeda, Mark Kroqi, Muhamet Sokoli, Refik Vorfa, Sokol Kalaj, Pina Haxhi dhe Rrok Bardeli.