Ballina LAJME Shit-blerja e votave/ Dako pyetet për 5 orë te Krimet e Rënda

Shit-blerja e votave/ Dako pyetet për 5 orë te Krimet e Rënda

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako është pyetur për gati pesë orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda duke dhënë shpjegime lidhur me hetimin që ka nisur akuza për dosjen ‘339/1’. Media mëson se Dako është marë në pyetje nga dy prokurorët e çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, të cilët kanë kërkuar përgjigje nga Dako për gati 20 pyetje. Kryebashkiaku është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen dhe jo si person nën hetim. Mësohet se Dako ka treguar rrethanat e njohjes me Avdylaj dhe personat të tjerë që janë përgjuar nga prokuroria. Ai ka treguar se nuk mund të dilte garant dhe të ishte i bindur plotësisht se në fushatën e tij zgjedhore, persona të ndryshëm, dashamirës, mund të kenë ofruar para tek persona të tretë, me qëllim blerjen e votës.

Përgjimet telefonike për operacionin “Vol-Vo 4”, kanë nxjerë në skenë emrin e kreybashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, i cili ka dalë në përgjime, teksa flet me Altin Avdylaj dhe emri i tij, përmendet nga persona të tjerë për blerje votash në Durrës, një ditë pasi të zhvilloheshin zgjedhjen elektorale. Nisur nga këto përgjime por edhe të dhëna të tjera, prokuroria e Krimeve të Rënda, që prej fundit të muajit Maj 2017, ka nisur një hetim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionin aktiv në zgjedhje” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Për këto akuza burime pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë për “Shqiptarja.com” se janë duke u kryer verifikime të imtësishëm, përfshirë këtu, Vangjush Dakon, vllezërit Avdylaj dhe disa persona të tjerë, që kanë qënë pjesë e shtabit elektoral pranë Vangjush Dakos. Hetimi për krim zgjedhor nuk është i vetëm, saktësojnë burimet, pasi Dako po verifikohet edhe për punësime të paligjshme në njësitë administrative që drejton bashkia e Durrësit, pasi nga përgjimet janë konstatuar ndërhyrje dhe emërime jashtë kritereve që parashikon ligji.

Dy bisedat që nxorën emrin e Vangjush Dakos
Po kush janë bisedat që sollën kryerjen e verfikimeve? Deri tani tre janë përgjimet e publikuara ku Dako flet me anëtarët e bandës së Shijakut. Në bisedën e parë në datë 24 qershor, një ditë para zgjedhjeve të 2017, dikush flet me Altin Avdylin i njohur me pseudonimin “Nicen” dhe i thotë:“Kam ca me mbiemër Kurti, kam zonjën këtu… po deshe…6 veta janë, thuaj Vangjushit t’i japim ndonjë lek, që të votojnë”. Ndërsa në bisedën e dytë të publikuar, Dako gjatë komunikimit me Altin Avdylin interesohet që të takohet me një person tjetër i quajtur Astrit. Sipas transkriptit të kësaj bisede me Altin Avdylin, Vangjush Dako kërkon të takohet me vëllanë e tij, Astritin për ta falënderuar dhe folur për diçka, dy ditë pas zgjedhjeve të 2017. Ndërkohë që në një tjetër përgjim të publikuar nga Berisha, Dako është kapur duke biseduar me Jasin Avdylin, i cili po ashtu është i arrestuar.

Hetime për pastrim parash për grupin
Paralelisht me hetimin për trafik droge dhe verifikimet për Vangjush Dakon, prokuroria e Krimeve të Rënda, ka nisur hetim pasuror për të arrestuarit e operacionit “Vol-Vo 4”. Astrit Avdylajt dhe anëtarët e familjes së tij në Shijak, tashmë janë bërë objekt dhe i hetimit pasuror. Perandoria e Avdylajt dhe biznesmenit tjetër të shpallur në kërkim Admir Hoxha, do i nënshtrohen një hetimi pasuror për të hedhur dritë mbi vënien e kapitalit pasuror nga këta persona. Admir Hoxha, që dyshohet se është ideatori i krijimit të laboratorit të zbuluar në Brenog të Hasit është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia e shtetit. Hoxha zotëron pasuri në Tiranë, Durrës dhe në zonën e Rinasit. Ndërkohë që prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur procedurën duke kërkuar informacion të imtësishëm në hipoteka, banka dhe ALUIZNI. Ndërkohë kreu i këtij grupi kriminal Admir Hoxha, është shpallur në kërkim ndërkombëtar.