Ballina Ekonomi / Biznes Shishtaveci, pjesë e “100 fshatrave,” garanci për zhvillimin ekonomik

Shishtaveci, pjesë e “100 fshatrave,” garanci për zhvillimin ekonomik

Shishtaveci është pjesë e programit të 100 fshtarave, ndaj kryeministri Edi Rama nxiti sot projektet për zhvillimin e agro-turizmit në këtë zonë.

Agro turizmi, sipas kryeministrit Rama, është një mundësi ideale për të investuar paratë e kursyera nga emigracioni dhe për të fituar para më shumë se në emigracion. “Ne do të stimulojmë të gjithë ata që kanë një projekt. Vitin e ardhshëm ne do të vendosim edhe më shumë fonde në drejtim të agro-turizmit dhe flas për para që i shkojnë në dorë atyre që duan të merrem me agro-turizmin dhe jo për kredi apo borxhe. Kjo është një mënyrë ku shteti kontribuon drejtpërdrejtë duke mbështetur projektin e një familjeje, të një investitori apo emigranti,” – tha kryeministri Rama.

Kryeministri foli gjithashtu edhe për lehtësitë fiskale që ka miratuar qeveria për agro-turizmin. “Me komponentët që ka agro-turizmi dhe sigurisht dhe me traditën e zonës, i ftoj të gjithë që ta shikojnë këtë mundësi, për më tepër duke pasur parasysh që ne i kemi ulur në maksimum taksat, vetëm 5% tatimi i fitimit dhe 6% TVSH, njësoj si hotelet me 5 yje,” – tha kreu i qeverisë.

Ai u shpreh gjithashtu se përfshirja e Shishtavecit në programin e “100 fshatrave” është një garanci që shumë shpejt do të shikojmë zhvillim të rëndësishëm.