Shifrat/Në Shqipëri 312 mijë persona kanë kredi bankare!

32

Numri i individëve që kanë një kredi bankare në Shqipëri është rreth 312 mijë. Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë vitit të kaluar numri i individëve me një kredi në bankë pësoi një rënie të lehtë, me rreth 1500 më pak krahasuar me vitin 2018.

Por, ndërsa numri i huamarrësve ka rënë lehtë, numri total i huave të tyre është rritur. Instat raporton se kreditë totale të individëve në fund të vitit të kaluar arritën në pothuajse 373 mijë, në rritje me 12 mijë hua më shumë krahasuar me vitin 2018. Sipas ndarjes gjinore, kreditë e marra nga burrat kanë një peshë më të larët, me 56.5% të totalit.

Këto shifra tregojnë se baza e huamarrësve në sektorin bankar ka ngelur pothuajse e njëjta, por ata kanë përdorur më shumë kredinë si instrument për të financuar konsumin apo blerjen e pasurive të paluajtshme. Klientët ekzistues dhe rekorde të mira si kredimarrës përgjithësisht janë klientë të preferuar të bankave, sepse ekzistenca e një marrëdhënieje në kohë i bën ata më të besueshëm.

Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli total i kredisë për individë ka aktualisht vlerën e 195 miliardë lekëve ose pothuajse 1.6 miliardë eurove. Në vlerë, portofoli dominohet nga kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme, që kanë afërsisht vlerën e 1 miliardë eurove ose rreth 64% të portofolit total të kredisë për individët. Vijon kredia konsumatore dhe overdraftet, që së bashku arrijnë vlerën e 58 miliardë lekëve ose rreth 468 milionë eurove.

Segmenti i individëve në vitet e fundit ka shënuar një rritje të qëndrueshme të kreditimit, i mbështetur nga normat e ulëta të interesit dhe fokusit të lartë të bankave për t’u zgjeruar në këtë treg. Statistikat tregojnë se në harkun e pesë viteve të fundit, portofoli i kredisë për individë është zgjeruar me 26% ose rreth 40 miliardë lekë, ndërkohë në në rastin e biznesit portofoli është tkurrur me 41 miliardë lekë. Anketimet e Bankës së Shqipërisë treguan se vitin e kaluar bankat pranuan mbi 85% të aplikimeve për kredi të kryera nga individët. Kjo përqindje është më e lartë për bankat me kapital shqiptar.

Huaja për individë ofron një shpërndarje më të mirë të rrezikut të kredisë dhe mundëson rritje afatgjatë të portofolit, sidomos në kreditë për blerjen e pasurive të paluajtshme. Vrojtimi i aktivitetit kreditues në tremujorin e tretë të vitit tregoi se kushtet e përgjithshme për kreditë akorduar individëve u lehtësuan përsëri, menjëherë pas rihapjes së ekonomisë, ndonëse kërkesa ngeli më e ulët krahasuar me periudhën e parakrizës./Monitor.