Ballina KULTURË Shëtitorja e Himarës, konkurente në “EU MIES AWARD”

Shëtitorja e Himarës, konkurente në “EU MIES AWARD”

Shëtitorja e re e Himarës pritet të konkurrojë në konkursin ndërkombëtar të “EU MIES AWARD”. Kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro shpreson që juria e konkursit të vlerësojë jo vetëm projektin, por edhe realizimin e saj.

Nëpërmjet një ndërhyrjeje arkitekturore, në peizazhin dhe mobilimin urban, shëtitorja e re është zëvendësuar me vijën natyrale lidhëse të detit me shtëpitë në vijën e parë në breg.

Shëtitorja e re u rehabilitua në sajë të një projekti të qeverisë shqiptare. Duke nisur nga objektet e vijës së parë, shëtitorja i përafrohet një shkallareje drejt detit me gjatësi mbi 350 m, që mundëson qasjen për gjithkënd duke e shfrytëzuar atë për aktivitete të ndryshme, nga plazhi e deri në koncerte apo të tjera shfaqje kulturore.

Himara, me bukuritë natyrore dhe monumentet e trashëgimisë kulturore ka qenë ndër më të vizituarat nga grupet e turistëve vendas e të huaj. Gjatë këtij viti, turizmi në Himarë është rritur me 20% krahasuar me vjet.

“Shëtitorja e Himarës është një ndërthurje e shkëlqyer mes pozicionit të përshtatshëm dhe shtrirjes së qytetit me detin, për shëtitore të tilla,” – thekson kryebashkiaku Goro.

Sipas tij, kjo shëtitore është fantastike nga ana e projektimit dhe zbatimit, përveçse nën ndikimin e kushteve atmosferike, kur deti rezervon gjithmonë surpriza të pakëndshme.