Ballina Shëndetësi Sheqeri në gjak dhe pesha trupore

Sheqeri në gjak dhe pesha trupore

Dieta jo gjithmonë është e suksesshme sepse asnjë regjim nuk funksionon njësoj për të gjithë, thonë shkencëtarët.

“Për vite me radhë, ne jemi përpjekur për të gjetur një dietë që do të funksiononte për të gjithë, dhe kemi dështuar për shkak se dieta më e mirë është ajo që i përshtatet çdo individi”, – thotë Eran Segal në Institutin Weizman.

Studiuesit izraelitë, Eran Segal dhe Eran Elinav thonë se çelësi i humbjes së peshës është mbajtja e niveleve të ulët të sheqerit në gjak. Shumë sheqer në gjakun e dikujt ruhet si yndyrë. Të dy shkencëtarët kanë matur nivelet e sheqerit në gjak në rreth 800 njerëz pas çdo vakti për një javë.

“Ajo që na befasoi është se njerëzit e ndryshëm reagojnë në mënyrë të ndryshme, madje edhe kur hanë të njëjtën ushqim”, – thotë Eran Elinav.

Ushqimi që krijoi një përgjigje të shëndetshme në disa individë, shkaktoi një rritje të sheqerit në gjak në të tjerë. Për shembull, njerëzit reaguan shumë ndryshe ndaj bukës.

“Ajo që gjetëm në këtë rast është se nuk ka bukë të keqe apo të mirë. Përgjigja ndaj bukës ishte plotësisht e individualizuar”, – thotë Eran Elinav.

Shtimi i yndyrës në bukë, si gjalpë, vaj ose avokado, mund të ndihmojë normalizimin e sheqerit në gjak te disa njerëz, por jo tek të gjithë. Mishi dhe djathi mund të shkaktojnë ndryshime të nivelit të sheqerit në gjak. Por një dietë pa karbohidrate nuk është e qëndrueshme. Studiuesit izraelitë thonë se zgjidhja më e mirë është gjetja e karbohidrateve që janë të sigurta për t’u përfshirë në dietën e një individi. Kjo kërkon matjen e nivelit të sheqerit pas çdo vakti për një farë kohe.