Ballina Aktualitet Shëngjin, peshkatarët rrezikohen më shumë në breg

Shëngjin, peshkatarët rrezikohen më shumë në breg

“Duke nxjerrë peshkun dje, i rrëshqiti këmba dhe ra poshtë”. Ky është rrëfimi i një peshkatari për ngjarjen e një kolegut të tij një ditë më parë, në Shëngjin.

Moli, ku peshkatarët e Shëngjinit ankorojnë çdo ditë varkat e tyre, është në gjendje të mjerueshme. Peshkatarët e Shëngjinit janë më të rrezikuar në breg, sesa në det.

“Nuk ke ku e shkarkon peshkun, vjen anija në port dhe duhen rreth 10 punëtorë për ta nxjerrë peshkun nga deti deri në fund të urës. Në dy-tre raste janë rrëzuar njerëz, duke përfunduar edhe në Urgjencë,” – tha një peshkatar.

“Ky mol është mjaft i rrezikshëm për peshkatarët, a nuk e shihni sesa vrima ka?,” – tha një tjetër.

Në molin e Shëngjinit, prej shumë vitesh nuk është bërë asnjë investim. Dërrasat e kalbura dhe struktura metalike nuk dihet edhe për sa kohë do të mbajnë.