Ballina Aktualitet Shëndeti mendor drejt përkeqësimit, mungesë masive e mjekëve

Shëndeti mendor drejt përkeqësimit, mungesë masive e mjekëve

Sipas të dhënave të INSTAT sëmundjet e shëndetit mendor po njohin përhapje më të madhe në popullatë së fundi, sidomos në vendin tonë. Shqipëria për fat të keq renditet e fundit në Evropë për nga numri i mjekëve të specializuar në psikiatri, ku sipas raportimeve në të gjithë vendin ka vetëm 25 të tillë.

Një anketë tjetër e kryer nga INSTAT gjeti se 60-70% e të rriturve në Shqipëri kanë përjetuar sëmundjen e depresionit, një gjendje komplekse mendore dhe emocionale, e lidhur zakonisht me të qenët i trishtuar, humor të keq që ndikon negativisht tek produktiviteti mendor dhe lëvizjet. Edhe sipas mjekëve psikiatër trendi i pacientëve që kërkojnë ndihmë të specializuar nga mjekët psikiatër ka qenë në rritje.

Një tregues i depresionit është dhe rritja e konsumit të barnave qetësuese në vend. Sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të siguruara më herët nga Monitor, importet e Loram-it, Xanax-it dhe Citolex-it janë rritur ndjeshëm tre vitet e fundit. Për vitin 2016, ato janë 6-17% më të larta sipas llojit të medikamentit. Më 2016, u zhdoganuan 195,137 pako Loram (2.5 miligramë) nga 167,000 më 2015, me një rritje vjetore 18%. Me ritme dyshifrore (11%) janë rritur edhe importet e Xanax-it dhe rritje 6% edhe ato të Ciltolex-it. Burimet në dogana pohojnë se ritmet e rritjes së importeve të këtyre medikamenteve kanë qenë të larta në dy vitet paraardhëse.